Lidhje

Popullariteti në rënie nuk po e pengon presidentin francez Sarkozi


Anketat e fundit tregojnë se popullariteti i presidentit francez Nikolas Sarkozi ka rënë. Sipas një sondazhi që doli dje, besueshmëria e tij në publik është ulur në më pak se 50 %. Presidenti iu është përgjigjur këtyre prirjeve negative me një program ambicioz për vitin 2008.

Çdokush që besonte se presidentit francez po i rreshtnin energjitë, rezultoi se kishte menduar gabim. Gjatë një koference për shtyp, Nikolas Sarkozi veçoi disa nga pikësynimet e vitit 2008,- nga plani për të ndaluar reklamat në televizionin publik, vendosjen e taksave për Internetin, si dhe për të bërë javën 35 orëshe të punës në vend, më elastike.

Presidenti Sarkozi gjithashtu propozoi një objektiv më pak prozaik, - të zbatojë atë që ai e quajti një “ politikë të civilizimit” për Francën.

Zoti Sarkozi thotë se qeniet njerëzore janë zemra e politikës. Dhe politikanët duhet të punojnë që të përmirësojnë botën dhe jetët e njerëzve.

Udhëheqësi francez nuk e ka paraqitur me hollësi për publikun të ashtuquajturën “politikë e civilizimit”. Por ai theksoi një synim të pazakontë: të merret parasysh ndikimi që ka lumturia tek zhvillimi në Francë, duke e matur këtë ndikim. Dhe ai ka zgjedhur dy laureatë të çmimit Nobel që të gjejnë një mënyrë për ta realizuar këtë qëllim.

Propozimet e zotit Sarkozi vijnë në një kohë që niveli i miratimit për të ka rënë, në krahasim me vitin e kaluar ku ai mori një mbështetje të gjerë.

Një sondazh i publikuar dje në të përjavshmen franceze Le Figaro, zbulon se vetëm 49 % e francezëve kanë besim tek presidenti i tyre, një shifër që ka mbetur e pandryshueshme që nga muaji i kaluar. Dy sondazhe të tjera e nxjerrin nivelin e mbështetjes së tij nga francezët diçka më të lartë.

Ekonomia mbetet shqetësimi kryesor në Francë, dhe shumica e francezëve nuk besojnë se Z.Sarkozi është i zoti që të sjellë përmirësim në një çështje kyçe, fuqinë e tyre blerëse që është në rënie.

Analisti politik Ettien Schweisguth tha se alternativat afatshkurtra të presidentit janë të kufizuara.

Ai thotë se z.Sarkozi nuk mund t’i japë shumë rezultate konkrete publikut francez në të ardhmen e afërt, teksa shumë nga propozimet e tij duan kohë që të realizohen.Kështu që ai po përqendrohet në projekte afatgjata, - me projekte të tipit “ Politikat civile”.

Niveli i mbështetjes nga Z. Sarkozi duket se po vuan dhe nga publiciteti i jetës së tij private. Marrëdhënia e presidentit francez me këngëtaren italiane Carla Bruni është mjaft e përfolur në Francë, dhe vëzhgimet thonë se mjaft francezë janë të shqetësuar se kjo lidhje mund të eklipsojë punën e tij si kreu i shtetit në Francë.

Por presidenti nuk duket se po shqetësohet nga kjo dhe u tha gazetarëve këtë javë se ai donte të ishte i sinqertë për marrëdhënien e tij. Nëse gazetarët mendojnë se po i jepet shumë publicitet kësaj historie, atëherë të mos i kishin nisur fotografët për të fotografuar çiftin. Dhe nëse ai dhe znj. Bruni do të martohen, shtypi do të jetë i fundit që do ta marrë vesh këtë gjë.

Opozita e majtë i ka kritikuar ashpër propozimet e reja të z.Sarkozi, si dhe 8 muajt e tij në pushtet. Një anëtar i vjetër i Partisë Socialiste, Pierre Moscovici, merr shenjpon veçanërisht propozimin e presidentit për të ndryshuar javën 35 orëshe të punës në Francë, më e shkurtra në Europë.

Në një intervistë në radion France Info, ai tha se dihet që 35 orë punë në javë nuk ishte zgjidhja perfekte. Por ai tha se kjo gjë është funksionale për shumë punënjës dhe punëdhënës. Ai e akuzon z.Sarkozi se po thjesht po tregohet besnik ndaj konservatorëve që e sollën në pëushtet.

Analisti Schwisguth thotë se është e vështirë të thuhet nëse strategjia e z.Sarkozi për të ofruar përherë plane të reja dhe vizione të reja për të ardhmen, do të funksionojë. Ai thotë se kjo strategji do ta ruajë imazhin e një presidenti aktiv për z.Sarkozi. Por ai nuk përjashton mundësinë që problemet të dalin më pas dhe që popullariteti i presidentit francez të bjerë edhe më poshtë se 50%.

XS
SM
MD
LG