Lidhje

Republikanët para zgjedhjeve paraprake presidenciale në Miçigan


Në fushatën për zgjedhjet presidenciale amerikane, kandidatët kryesorë të partisë republikane po kërkojnë votat në shtetin e Miçiganit, ku do të mbahen zgjedhjet paraprake të martën më 15 janar. Seria e këtyre zgjedhjeve paraprake arrin kulmin me zgjedhjen e kandidatit nga të dyja forcat kryesore politike në kuvendet kombëtare të partive që do të mbahen pas shtatë muajsh. Zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në nëntor. Rezultati javën e ardhshme në Miçigan do të jetë me rëndësi kritike në betejën e pretendentëve republikanë që sipas shumë analistëve është një garë ende e paparashikueshme.

Pas fitores së rëndësishme në Nju Hempshër, senatori John McCain po bën një fushatë agresive në Miçigan. Ekspertët thonë se një fitore këtu mund ta bëjë atë kandidatin kryesor të Partisë Republikane.

Zoti McCain, ish i burgosur në Vietnam, përballet me një konkurrencë të ashpër nga rivalët e tij republikanë përfshi ish guvernatorin e shtetit Arkansas Mike Huckabee. Ai fitoi zgjedhjet paraprake në Ajova me një diferencë të madhe ndaj ish guvernatorit të Masaçusets, Mitt Romney.

Kandidatët në Miçigan po përqëndrohen në humbjet e mijëra vendeve të punës në këtë shtet industrial. Zoti McCain u tha përkrahësve të tij në Miçigan se disa nga vendet e punës që i ka humbur ky shtet, nuk do të kthehen përsëri. "Do të ndihmoj për krijimin e vendeve të reja të punës dhe programeve të edukimit. Do të kërkoj mënyra për t’u siguruar njerëzve një nivel produktiv të jetës, një të ardhme më të mirë për shtetin e Miçiganit. Jam i angazhuar plotësisht për t’ja arritur kësaj".

Zoti McCain mbështetet në përkrahjen e konservatorëve të moderuar dhe të votuesve të pavarur. Zoti Huckabee, ish prift baptist, thotë se do të fitojë në Miçigan duke tërhequr punëtorët e klasës së mesme, evangjelistët dhe votuesit konservatorë që janë kundër abortit. "Me gjithë zemër besoj se një nga çështjet më themelore në këtë vënd, me të cilën duhet të përballemi është paprekshmëria e çdo jete njerëzore".

Ish guvernatori i shtetit Masaçusets Mitt Romney ka deklaruar se në Miçigan do të marrë fitoren e parë pasi ky është vendi i tij i lindjes dhe ku i ati George Romney ka qënë guvernator i njohur në vitet 60. Mitt Romney ka premtuar të mbrojë vendet e punës dhe të rindërtojë ekonominë. "Do të përdor të gjitha vitet e mija të përvojës dhe dashurinë që kam për këtë shtet, do të punoj për Miçiganin që t’i jap fund ngecjes ekonomike dhe për ta bërë atë edhe njëherë një shtet me të ardhme të begatë".

Shumë analistë thonë se Miçigani është shteti ku zoti Romney duhet të fitojë patjetër në mënyrë që të mos përballet me thirrjet e krerëve të partisë për t’u larguar nga gara. Thomas Mann i Institutit Brookings në Uashington thotë se gara nga ana e republikanëve mbetet e hapur. Ai thotë se zoti McCain mund të ketë një farë epërsie në Miçigan, sheti me shumë veteranë të luftës së Vietnamit. "Mendoj se nga të gjithë kandidatët në garën republikane, zoti McCain ka një avantazh, jo të fuqishëm por ka epërsi. Më duket se kjo garë do të vazhdojë për një kohë". Formuluesit e strategjive në fushatën e zotit McCain, Romney dhe Huckabee thonë se vendi i parë në Miçigan do t’u japë kandidatëve të tyre një shtytje të rëndësishme për betejën në shtetin e Karolinës së Veriut që do të zhvillohet një javë më pas. //rd//

XS
SM
MD
LG