Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin në disa shtete


Gjykata e Lartë amerikane po shqyrton nëse inxhektimet vdekjeprurëse dhe metodat e tjera për ekzekutimin e të dënuarave dhunojnë kushtetutën që ndalon dënimet mizore dhe të pazakonta. Në rend të ditës është çështja gjyqësore që kanë ngritur të dënuart me vdekje në Këntaki, të cilët thonë se gjatë ekzekutimit i dënuari përballet me dhimbje të padurueshme kur injektohet me kombinimin e tre ilaçeve.

Padia e ngritur gjithashtu thotë se kur inxhektimet vdekjeprurëse kryhen nga personel i patrajnuar i burgjeve ekziston mundësia e gabimeve. Donald Verrilli është avokati i të burgosurve në Këntaki.

“Nuk bëhet fjalë për të zbutur sistemin por për të shkaktuar sa më pak dhimbje dhe për të menjanuar torturën.”

Gjykata e Lartë duket tejet e përçarë rreth asaj që kërkon kushtetuta amerikane dhe asaj që po bëhet. Gjykatësi Antonin Scalia thotë se ...

“Kushtetuta nuk flet për ekzekutime pa dhimbje.”

Gjykatësi John Paul Stevens thotë se e shqetëson përdorimi i disa ilaçeve në injektimet vdekjeprurëse.

“Jam tejet i tronditur nga fakti se ilaçi i dytë mesa duket shkakton rrezikun për dhimbje torturuese.”

Gjykatësi e ka fjalën për kombinimin e standartizuar të kimikateve për inxhektimin vdekjeprurës në 35 shtete. Ilaçi i parë bën që i dënuari të humbasë ndjenjat, tjetri për ta paralizuar atë dhe inxheksioni i tretë shkakton ndalimin e zemrës.

Aktivistë të të drejtave të njeriut argumentojnë se nëse ilaçi i parë nuk funksionon dhe i dënuari ndjen dhimbje të tmerrshme, por nuk është në gjendje të lëvizë apo komunikojë si rezultat i inxheksionit të dytë.

Ata po u kërkojnë shteteve përdorimin e një ilaçi të vetëm, një dozë të lartë ilaçi që i merr jetën të dënuarit. Por avokati i sistemit të burgjeve në Kentucky thotë se të dënuarit me vdekje nuk vuajnë gjatë ekzekutimit.

“Janë realizuar më shumë se 900 ekzekutime dhe masat e sigurisë funksionojnë. Ka shumë pak prova që njerëzit që janë ekzekutuar kanë ndjerë dhimbje torturuese nga inxheksionet.”

Avokati Jonathan Turley, analist ligjor, thotë se gjykata e lartë nuk ka të ngjarë të bëjë ndryshime të mëdha rreth ekzekutimit të dënimit me vdekje.

“Mesa duket zor se gjykata do të vendosë që inxheksioni vdekjeprurës është mizor dhe dënim i pazakontë. Por gjykata mund të shprehë shqetësime rreth kombinimit të ilaçeve por edhe kjo me pikëpyetje. Gjykata historikisht ka mënjanuar ndërhyrjen në metodat e ekzekutimit dhe nuk synon të mikromenaxhojë aspektet teknike të dënimit me vdekje.”

Gjykata e Lartë amerikane pritet që të japë vendimin rreth dënimit kapital diku nga muaji korrik. Deri atëherë, gjykatësit e shteteve dhe ata federalë po i ndalojnë përkohësisht ekzekutimet derisa t’u jepet përgjigje pyetjeve rreth këtij ligji dhe mënyrë së ekzekutimit me inxheksione vdekjeprurëse. (ze)

XS
SM
MD
LG