Lidhje

Shqipëri: KLD sjell propozime për reformimin e Gjyqësorit


Këshilli i Lartë i Drejtësisë propozoi sot një seri ndryshimesh në projekt-ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, i cili qëndron prej mbi një viti në tryezat e deputetëve.

KLD deklaroi para komisionit parlamentar të ligjeve se projekt-ligji për pushtetin gjyqësor ka lënë jashtë Gjykatën e Lartë ndërsa vendos rregulla vetëm për gjykatat e tjera, se project-ligji nuk ka shmangur përplasjen e inspektimeve në gjykata nga ministria dhe nga KLD, dhe se nga ana tjetër nuk rregullon statusin dhe karrierën e gjyqtarëve.

Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, kërkoi në një seancë dëgjimore me komisionin e ligjeve pakësimin e kompetencave të ministrisë së drejtësisë për kontrollet e gjykatave dhe në emërimin e kryetarëve të gjykatave, vendosjen e kritereve profesionale në emërimin e gjyqtarëve për të shmangur subjektivizmat e propozuesve, si edhe zgjedhjen e gjyqtarëve edhe nga burime të tjera profesionale krahas Shkollës së Magjistraturës.

“Ministri propozon kryetarët e gjykatave dhe pastaj ministri dhe kryetarët e gjykatave kanë të drejtë që të propozojnë masa ndëshkuese për gjyqtarët e thjeshtë. Kjo është një formë monopoli dhe e rrezikshme, sepse cënon pavarësinë e gjyqtarëve. Mendojmë se më mirë do të ishte që kryetarët e gjykatave të propozohen nga antarët e KLD, ku ministri është një prej tyre” - tha, mes të tjerash, zoti Spahiu.

Propozimet e sjella nga KLD synonin heqjen e disa monopoleve dhe ekskluziviteteve të ministrisë së drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës në emërimet gjyqtarëve, kontrollin e punës së gjykatave, si dhe rregullime themelore për statusin dhe karrierën e gjyqtarëve, të rinj apo me përvojë.

Këto propozime të KLD ndezën debate politike tek antarët e komisionit parlamentar të ligjeve. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa, tha se për reformën në drejtësi, parlamenti duhet të dëgjojë me kujdes njerëzit e drejtësisë, sepse miratimi i nxituar i ligjeve sjell pasoja në sistemin gjyqësor. Por deputetët e shumicës së djathtë u shprehën se projekt-ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor është diskutuar disa herë ne palët e interesuara gjatë një viti e gjysëm që rri në parlament.

Kryetari i Komisionit, deputeti demokrat Fatos Beja, tha se parlamenti është i gatshëm që të dëgjojë propozimet e specialistëve, por ritmi i reformave duhet të jetë më i lartë dhe kujdesi nuk duhet të bëjë që të shtyhen ligjet edhe një vit tjetër.//lk

XS
SM
MD
LG