Lidhje

Presidenti Bush viziton Egjiptin për takime me Presidentin Mubarak

  • Paula Wolfson
  • Rijad

Presidenti Bush do të vizitojë sot Egjiptin që do të jetë edhe ndalesa e fundit e turneut të tij 8 ditor në Lindjen e Mesme.

Zoti Bush do të takohet me Presidentin Hosni Mubarak në pikën turistike Sharm el Sheik të Detit të Kuq dhe më pas do të niset për në Uashington.

Gjatë dy ditëve të kaluara, zoti Bush vizitoi Arabinë Saudite, ku u bëri thirrje vendeve të OPEK-ut që të prodhojnë më shumë naftë për tregun botëror për të ndihmuar në uljen e çmimit të energjisë.

Ministri saudit i Naftës, Ali Naimi, tha se mbretëria do të rrisë prodhimin e naftës vetëm kur kushtet e tregut ta justifikojnë një gjë të tillë.

Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, ndodhej gjithashtu në Riad. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duan që vendet arabe të ndihmojnë më shumë në nxitjen e procesit të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve.

Ministri i Jashtëm saudit, Saul al-Faisal tha se mbretëria mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

PRESIDENTI BUSH I BEN THIRRJE OPEKUT TE SHTOJE PRODHIMIN

Presidenti Bush po i bën thirrje publikisht OPEK-ut ta shtojë furnizimin me naftë për tregjet ndërkombëtare dhe ai po e bën këtë, ndërsa është në vendin kryesor prodhues të naftës.

Duke folur para një grupi të vogël gazetarësh në Rijad, Presidenti foli për ndikimin e çmimeve të larta të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës.

Në kushtet kur çmimi i naftës kohët e fundit ka arritur në 100 dollarë për fuçi, zoti Bush tha se konsumatorët amerikanë po i ndjejnë pasojat. Ai paralajmëroi se çmimi i lartë i energjisë mund të dëmtojë ekonomitë e vendeve konsumatore.

Më parë, gjatë një takimi me sipërmarrës sauditë, presidenti tha se ai do ta ngrejë këtë çështje në bisedimet me Mbretin Abdullah të Arabisë Saudite.

"Unë bisedova me ambasadorin dhe do të flas përsëri sonte me shkëlqesinë e tij, për faktin se çmimet e naftës janë shumë të larta, gjë që është problematike për ekonominë. Shpresoj që, ndërsa OPEC-u shqyrton nivele të ndryshme prodhimi, ta kuptojnë, se nëse ekonomia e njërit prej konsumatorëve të tyre më të mëdhenj vuan, kjo do të thotë se do të ketë më pak blerje dhe rrjedhimisht do të shitet më pak naftë dhe gaz".

Kur e pyetën lidhur me thirrjen e Presidentit për shtimin e prodhimit nga vendet e OPEC-ut, Ministri saudit i Naftës, Ali Naimi nuk premtoi gjë.

"Ne do ta rrisim prodhimin kur ta justifikojë tregu, kjo është politika jonë".

Një tjetër çështje që ngriti Presidenti Bush me zyrtarë sauditë, ishte Irani.

Gjatë një konference për shtyp, ai foli përsëri lidhur me incidentin e 6 janarit, gjatë të cilit pati një konfrontim mes skafeve iraniane dhe anijeve amerikane në Gjirin Persik. Presidenti tha se Teherani duhet të tregohet i kujdesshëm dhe se do të kishte pasoja serioze, nëse Irani do të sulmonte anijet amerikane në ujërat ndërkombëtare.

Po ashtu, Presidenti u tha gazetarëve se i kishte siguruar udhëheqësit arabë gjatë gjithë turneut të tij në Lindjen e Mesme, se ai do që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë diplomatike.

Presidenti Bush do të ketë kohë të mjaftueshme për ta ngritur përsëri çështjen e naftës dhe atë të Iranit gjatë mbrëmjes së tij të fundit në Lindjen e Mesme. Zoti Bush do të kalojë natën sonte në fermën e udhëheqësit saudit pranë Rijadit, ku ai mban kuaj race. Në vitet 2002 dhe 2005, Princi i Kurorës Abdullah, ishte për një vizitë të ngjashme në fermën e Presidentit Bush në Texas. (ze)

XS
SM
MD
LG