Lidhje

Kush e vrau ish ish-kryeministren pakistaneze Benazir Bhuto


Tronditja e shkaktuar nga vrasja e ish-kryeministres pakistaneze Benazir Bhuto po krahasohet me ndikimin që pati vrasja e Presidentit John Kenendy në vitin 1963. Ashtu sikurse në vrasjen e Presidentit Kennedy, vrasja e zonjës Bhuto ka zgjuar shumë teori konspiracioni. Në materialin në vazhdim, analistët përpiqen t’i japin përgjigje një pyetjeje, që ndoshta nuk do të marrë kurrë përgjigje: kush e vrau Benazir Bhuton?

Në Pakistan, përhapja e teorive të konspiracionit rreth politikës dhe qeverisë së vendit janë diçka që ka ndodhur shpesh në të kaluarën.

Në rastin e vdekjes së Benazir Butos, të dhëna kontradiktore lidhur me sulmin, akuzat mbi mangësitë e mëdha të sigurisë dhe trajtimi jo siç duhet i skenës së krimit, kanë bërë që të dalin një sërë teorish konspiracioni. Shumë pakistanezë dhe në veçanti besnikë të zonjës Bhuto, besojnë se Presidenti Pervez Musharraf dhe qeveria e tij patën një rol në vdekjen e zonjës Bhuto.

Husein Hakani, profesor në Universitetin e Bostonit dhe ish-ndihmës i zonjës Bhuto, thotë se më së paku, qeveria nuk i dha zonjës Bhuto mbrojtjen e nevojshme, ndërsa ajo zhvillonte fushatë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, kjo siguri mungoi, sidomos duke patur parasysh përpjekjen e mëparshme për vrasjen e saj më 18 tetor me një sulm vetëvrasës, ndaj karvanit me të cilin ajo po udhëtonte, një sulm gjatë të cilit u vranë rreth 150 vetë. "Unë mendoj se qeveria duket fajtore të paktën për fshehje të fakteve, në mos për vetë aktin. Në fakt, ajo nuk pati sukses në sigurimin e mbrojtjes së mjaftueshme për zonjën Bhuto. Mendoj se këto janë gjëra, të cilat qeveria, thjesht nuk mund t’i anashkalojë..."

Por Presidenti Musharraf mohon me forcë çdo përgjegjësi në vdekjen e zonjës Bhuto. "Unë jam rritur në një familje me shumë kulturë dhe të civilizuar, që beson në vlerat, në parimet dhe karakterin e njeriut. Familja ime, jashtë çdo imagjinate, nuk beson tek vrasja e njerëzve, tek vrasjet politike, apo intrigat."

Në një intervistë që dha për televizionin CBS, zoti Musharraf tha se zonja Bhuto është pjesërisht vetë fajtore për vdekjen e saj, sepse ajo e nxori kokën tek dritarja e sipërme e makinës së saj të blinduar, që e ekspozoi ndaj sulmit.

Por teoria e qeverisë është se zonjën Bhuto e vranë militantët islamikë. Madje qeveria fajëson direkt Beitullah Masudin, një udhëheqës xhihadist, me bazë në rajonet fisnore të Pakistanit dhe me lidhje të ngushta me Al Kaidën. Qeveria madje përmend edhe një bisedë telefonike të regjistruar të zotit Masud, duke uruar vartësit e tij për sulmin.

Analistët thonë se radikalët islamikë kryen dy goditje përnjëherësh me vrasjen e zonjës Bhuto, e para, ata zhdukën nga skena politike një njeri liberal, pro Perëndimit, një grua me pikëpamje laike, por së dyti, ata shtuan së tepërmi presionin politik ndaj Presidentit Musharraf.

Christine Fair, analiste për Pakistanin në Korporatën Rand, thotë se teoritë e konspiracionit lidhur me përfshirjen e Presidentit Musharraf në vrasjen e zonjës Bhuto, janë gjepura. Por ajo shton se shërbimi pakistanez i zbulimit ka patur lidhje të fuqishme me talebanët për një kohë të gjatë dhe mban përgjegjësinë pjesërisht për krijimin e organizatës së talebanëve, në mënyrë ironike, gjatë mandatit të dytë si kryeministre të zonjës Bhuto, në vitet 1993 dhe 1996. Prandaj, shton ajo, në se duhen fajësuar militantët islamikë, nuk mund të përjashtohet mundësia për disa lidhje mes shërbimit të zbulimit dhe komplotuesve.

Presidenti Musharraf ka kërkuar ndihmën e Britanisë për të hetuar lidhur me vrasjen, por specialistët ligjorë britanikë nuk do të mund të gjejnë faktet e mjaftueshme, pasi skena e krimit u pastrua menjëherë pas vrasjes, duke i shkatërruar faktet ligjore. Po ashtu, zonjës Bhuto nuk iu bë autopsi dhe sipas njoftimeve, dokumentet spitalore u konfiskuan dhe mjekët i urdhëruan të heshtnin.

Sulmi duket se u krye nga persona të armatosur, me mbështetjen e një vetëvrasësi me bombë. Qeveria ka thënë se zonja Bhuto vdiq ngaqë e goditi kokën në dritaren e sipërme të makinës dhe jo nga armët e vrasësve. Por kjo pikëpamje e qeverisë u debatua nga dëshmitarët okularë dhe u prit me skepticizëm të konsiderueshëm nga publiku.

Daniel Markey, i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, thotë se pavarësisht se sa të dyshimta janë akuzat për përfshirjen e qeverisë në vdekjen e zonjës Bhuto, ato përsëri kanë një ndikim të fuqishëm politik. "Ky nuk më duket një vlerësim realist për atë që ndodhi me të vërtetë. Por, fatkeqësisht, duke patur parasysh kushtet politike të Pakistanit, mendimi që ekziston, se dikush brenda qeverisë ka patur gisht, apo bëri sikur nuk e pa dhe e lejoi në ndodhë krimin, do të ketë një ndikim të madh në aspektin politik."

Zgjdhjet në Paksitan, që ishin në plan të mbaheshin më 8 janar, janë shtyrë tani për më 18 shkurt. //ii

XS
SM
MD
LG