Lidhje

SHBA: Ndizet fushata presidenciale mes dy kandidatëve kryesorë demokratë


Dy kandidatët kryesorë demokratë në zgjedhjet presidenciale janë përfshirë në një debat të ndezur lidhur me marrëdhëniet racore dhe komentet e bëra në fushatë mbi rolin e udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King. Si Senatorja Hillëri Klinton edhe Senatori Barak Obama kanë shansin të shënojnë një arritje historike duke u bërë përkatësisht e para grua ose i pari afrikano-amerikan që fiton Shtëpinë e Bardhë. Këto përplasje të fundit ndodhin ndërkohë që kandidatët përgatiten për zgjedhjet e javës së ardhshme në Karolinën e Jugut, gara e parë ku vihet në provë preferenca e votuesve afrikano-amerikanë.

Fërkimet mes dy kandidatëve u ndezën së tepërmi të djelën në programin e mëngjesit të rrjetit NBC.

“Fushata e Senator Obamës po i shtrembëron faktet qëllimisht”, tha Senatorja Klinton.

Mosmarrëveshja filloi pasi Senatori Obama shënoi një fitore të papritur në Ajova. Ai është i pari kandidat afrikano-amerikan me shanse reale për fitore dhe i është përmbajtur mesazhit për ndryshime. Javën e kaluar, kur Senatorja Klinton po bënte fushatë në shtetin Nju Hempshër me një popullatë të vogël afrikano-amerikanësh, i shoqi bëri disa komente. Ish-presidenti Bill Klinton kritikoi pozicionin që ka mbajtur zoti Obama në Senat me një koment që u interpretua si goditje ndaj përkrahjes që senatori gjen tek votuesit amerikanë të qendrës:

“Nuk më mbushet mendja aspak. E gjithë kjo, është një përrallë e pabesueshme”, tha ish-presidenti Klinton.

Pas fitores së papritur të Senatores Klinton në Nju Hempshër, ajo vetë ishte në qendër të vëmendjes pasi disa afrikano-amerikanë u shprehën se komentet e saj ulnin rolin e Martin Luther Kingut në arritjen e të drejtave civile, duke i njohur meritën më tepër Presidentit të atëhershëm Lindon Xhonson.

“Ëndrra e Dr. Kingut filloi të bëhej realitet kur Presidenti Xhonson miratoi ligjin për të drejta civile të vitit ’64”, tha zonja Klinton.

Uendëll Gillard është anëtar i forumit të Partisë Demokrate në Karolinën e Jugut:

“Njerëzit në pozita të dëshpëruara, tha ai, ndërmarrin hapa të dëshpëruar. Ata kanë hasur tani në një moment dëshpërimi.

“Kjo është një frazë që fushata e Senator Obamës e ka shfrytëzuar shumë me sukses, tha senatorja Klinton. Ata e kanë bërë objekt sulmesh. Ata e kanë shfrytëzuar për t’i bërë argumentet e tyre më bindëse”.

“Mbeta i habitur nga ky koment i Senatores, tha senatori Obama. Nuk arrij ta kuptoj se si fushata e saj lë të nënkuptohet se jemi ne ata që po e përfshijnë dallimin racor si argument në fushatë, si pasojë e një komenti që ajo vetë ka bërë dhe që ne nuk e kemi komentuar”.

Gjithë kjo vëmendje e kandidatëve demokratë për të bërë për vete votuesit afrikano-amerikanë në Karolinën e Jugut ka një arsye të fortë prapa. David Bositis është analist për Qendrën për Studime Politike dhe Ekonomike:

“Pothuajse gjysma e votuesve në zgjedhjet partiake për demokratët në këtë shtet janë afrikano-amerikanë”.

Analisti Bositis thotë se votuesit zezakë nuk i shqetëson aq shumë ajo që tha zonja Klinton për të drejtat civile, por toni që ka marrë fushata:

“Ata e kanë tepruar disi në këtë fushatë. Shumë afrikano-amerikanëve nuk u pëlqejnë ato që po thuhen në fushatë”.

Votuesit afrikano-amerikanë në Karolinën e Jugut do të kenë rastin të shprehin opinionin e tyre javën e ardhshme në një prej votimeve partiake më të paparashikueshme prej vitesh. (ze)

XS
SM
MD
LG