Lidhje

Romni fiton zgjedhjet paraprake republikane në Miçigan


Ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni, fitoi zgjedhjet paraprake në shtetin Miçigan, i pasuar nga senatori Xhon Mekejn dhe ish guvernatori i shtetit Arkansa, Majk Hakëbi. Zoti Romni bëhet kështu republikanë i tretë, që fiton në një shtet zgjedhjet paraprake, të cilat deri tani kanë qënë të paparashikueshme. Mes kandidatëve demokratë, senatorja Hillëri Klinton fitoi zgjdhjet paraprake të Miçiganit. Kandidatët e tjerë kryesorë demokratë nuk morën pjesë në zgjedhjet e djeshme paraprake, sepse shteti i Miçiganit shkeli rregullat rreth datës së këtyre zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve nuk do të meret parasysh, ndërkohë që komiteti kombëtar demokrat ka vendosur që 156 delegatët demokrate të këtij shteti të mos marrin pjesë në kuvendin e partisë.

Ai zuri vendin e dytë në zgjedhjet paraprake si në Ajova edhe në Nju Hempshër, por zoti Romni kishte premtuar fitore në shtetin Miçigan.

“Vetëm para një jave, fitorja dukej e pamundur, por ju morët pjesë në zgjedhje sot dhe i thatë Amerikës atë që ajo duhej të dëgjonte”, u tha zoti Romni përkrahësve të tij në Miçigan.

Zoti Romni duhej të fitonte dje në mënyrë që të qëndronte në garë, pasi senatori Mekejn fitoi zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër javën e kaluar.

Ndërkohë kandidatët kryesorë demokratë zhvilluan mbrëmë një debat në shtetin Nevada, ku të shtunën zhvillohen zgjedhjet paraprake. Kandidatët u zotuan t’i japin fund një konfrontimi lidhur me marrëdhëniet racore.

Senatorja Hillëri Klinton konsiderohet të jetë gruaja e parë kandidate presidenciale me shanse për të fituar.

Senatorja Klinton bëri komente javën e kaluar, të cilat disa njerëz i interpretuan si degradim të rolit që luajti martiri i të drejtave civile, Dr. Martin Luther King i Riu në kuadër të ligjit për të drejtat civile, që u nënshkrua nga presidenti Lindon Xhonson më 1964.

Senatori nga Ilinoi Barak Obama mendohet të jetë kandidati i parë presidencial afrikano-amerikan me shanse për të fituar.

“Ne, tha ai, nuk mund t’i zgjidhim këto sfida, nëse nuk bashkohemi si një popull i vetëm”.

Dje në orët e para të mëngjesit, dëbora mbuloi Miçiganin, shteti industrial bazë i industrisë amerikane të automobilëve, të goditur rëndë. Papunësia në Miçigan është 7 për qind, shumë më e lartë se sa përqindja e papunësisë në shkallë kombëtare.

Ish guvernatori Mit Romni gjatë fushatës së tij premtoi t’i kthejë Miçiganit vendet e humbura të punës.

Majk Hakëbi u përpoq të siguronte mbështetje në Miçigan, duke u folur votuesve rreth suksesit që ai pati në kthimin e vendeve të punës si guvernator në Arkansa. Megjithatë, zoti Hakëbi zuri dje vendin e tretë.

Senatori Mekejn u tha votuesve se e kupton se ata duan që politikanët e Uashingtonit të punojnë së bashku. Votuesit, tha zoti Mekejn, janë të lodhur nga ndarjet partiake dhe mungesa e veprimit në Uashington.

Tani kandidatët republikanë do të konkurojnë në shtetin e Karolinës së Jugut, ku jugori Hakëbi, i cili fitoi në shtetin Ajova, pretendon të ketë përparësi.

Me tre fitues të ndryshëm në tre zgjedhje paraprake, ende nuk është e sigurtë se kush është kandidati kryesor republikan.

Të dyja partitë janë të angazhuara në zgjedhje paraprake shtet pas shteti, në përpjekje për të siguruar mbështetjen e sa më shumë delegatëve, të cilët do të emërojnë kandidatin e partisë së tyre në kuvendet, që do të zhvillohen këtë vit, të pasuara nga zgjedhjet e nëntorit. (ze)

XS
SM
MD
LG