Lidhje

Botohet në Tiranë vepra e Prof. Dr. Rexhep Krasniqit


Një grup historianësh shqiptarë përuruan sot në Tiranë studimin e Prof. Dr. Rexhep Krasniqit “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”, një botim dygjuhësh shqip-gjermanisht, i realizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës.

Në një auditor të gjerë me qytetarë, nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të historisë, studiuesit Luan Malltezi, Beqir Meta, Ferid Duka dhe Muharrem Dezhgiu vlerësuan studimin e vitit 1934 si mjaft të rëndësishëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare.

Ish-kryetar i parlamentit shqiptar, ish-drejtues i arsimit shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë, doktor i shkencave historike Rexhep Krasniqi shkroi gjermanisht në Vjenë këtë tezë doktorature në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar, mbi fatin tragjik të verilindjes së Shqipërisë dhe përpjekjet kombëtare për shtetformim, një libër që erdhi në shqip vetëm sot pas 60 e ca vjetësh.

Risjellja e kësaj vepre përpara publikut shqiptar, i ndihmon njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, asaj të lëvizjes kombëtare shqiptare, të nacionalizmit shqiptar, pra, shekullit 19, kohë kur nacionalzimi shqiptar lindi, u zhvillua, kur pati edhe zhvillime të tjera kulmore si Lidhja Shqiptare e Prizrenit” - thotë historiani Ferid Duka.

Krahas veprës “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”, Prof.Dr. Rexhep Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të tjera historike të botuara në anglisht, shqip dhe gjermanisht në shtypin shkencor dhe atë të emigracionit, si edhe pjesëmarrës në shumë konferenca akademike nëpër universitete të SHBA dhe Europës.

“Dr.Krasniqi e provoi veten që ishte një neri brilant si në fushën e shkencës ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe të kombit të tij. Pikërisht për këto dy kontribute të mëdha që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, por janë pjesë e njëra-tjetrës, ai mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për gjithë brezat eshqiptarëve të sotëm” – thotë historiani Beqir Meta, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Në vitet 50 të shekullit të kaluar, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi organizoi në Nju Jork Komitetin “Shqipëria e Lirë”, të cilin e drejtoi për 35 vjet, deri në rrëzimin e diktaturës komuniste në Tiranë.

Së bashku me veprimtarinë politike antikomuniste dhe punës së madhe për ngritjen e arsimit kombëtar në Shqipëri dhe në Kosovë, me jetën e tij pothuaj njëshekullore, Dr.Krasniqi la pas për qarqet shkencore një numër të madh studimesh, dokumentesh, dhe libra të vlefshëm për albanologjinë.//lk

XS
SM
MD
LG