Lidhje

Rusia: Kosova kurrë nuk do të antarësohet në OKB nëse shpall pavarësi të njëanshme


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës do të shërbejë si precedent për praktika të ngjashme në vende të tjera në botës. Udhëheqësi rus riafirmoi pikpamjen e vendit të tij se çdo zgjidhje për statusin e Kosovës duhet të arrihet me mirëkuptim mes udhëheqësve serbë dhe shqiptarë. Këto komente zoti Putin i bën në një artikull që i është shpërndarë medias në Bullgari, në prak të vizitës së tij në këtë vend.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin theksoi dje gjithashtu se Kosova nuk do të lejohej të antarësohej në asnjë organizatë tjetër politike ndërkombëtare nëse shpall në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ai i bëri këto komente pasi kryeministri serb Boris Tadiç i tha Këshillit të Sigurimit se Serbia nuk do ta njohë kurrë sovranitetin e Kosovës. Serbia u kërkoi Kombeve të Bashkuara që të hedhin poshtë çdo shpallje të njëanshme të pavarësisë nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës dhe të mbështesin vazhdimin e negociatave për zgjiidhjen e statusit.

Procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk shënoi ndonjë hap përpara në sesionin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç foli dje në sesionin me dyer të hapura, ku theksoi para Këshillit të Sigurimit se Beogradi nuk do ta njihte kurrë pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Serbia do të përdorte të gjitha argumentet ligjore dhe diplomacinë për të mbrojtur tërësinë e saj territoriale.

Zoti Tadic i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të mos pranonte shpalljen e njëanshme të pavarësisë.

“Një njohje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës pa dyshim që do të përbënte një precedent. Askush nuk ka të drejtën që të destabilizojë Serbinë dhe Ballkanin me vendime të nxituara dhe të njëanshme që do të kishin pasoja të paparashikueshme për rajone të tjera me probleme separatizmi etnik. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë në një numër rastesh, që zgjidhja duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, një rezultat i kompromisit të pranuar për të dyja palët dhe se duhet të sjellë paqe afatgjatë dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit tim dhe rajonit”.

Zoti Tadic bëri thirrje për përpjekje të mëtejshme për një zgjidhje përmes negociatave.

Udhëheqësit e Kosovës pritet të shpallin pavarësinë në javët e ardhshme, pas dështimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane pritet ta miratojnë këtë veprim, por Serbia dhe aleatja e saj Rusia, anëtare me të drejtë vetojë në Këshillin e Sigurimit, janë zotuar ta kundërshtojnë atë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi foli gjithashtu para Këshillit, në një sesion me dyer të mbyllura. Më pas ai doli para gazetarëve.

“Kosova është gati, është e bashkuar. Shumë shpejt ne do të marrim një vendim dhe shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar të na njohë shumë shpejt”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB nënvizoi se Këshilli i Sigurimit ende nuk kishte arritur një qëndrim unik dhe shtoi se nuk ka shumë kohë për të pritur. Ai i kërkoi Serbisë që të vepronte me maturi për të mos dëmtuar marrëdhëniet afatgjata me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. “Ishte një diskutim pozitiv. Ne e dimë se çfarë ka përpara. Nuk ka ndryshime përsa i përket faktit që këshilli është i bllokuar. Përcaktimi i statusit përfundimtar është shumë i rëndësishëm dhe në një mënyrë apo një tjetër kjo çështje duhet të zgjidhet. Ne përshëndesim gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të luajtur rolin e tij. Natyrisht që zgjidhja përfundimtare për problemin e atij rajoni është integrimi në institucionet evropiane, veçanërisht në Bashkimin Evropian, kjo është e ardhmja e këtij rajoni”.

Por Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, paralajmëroi se një Kosovë e pavarur nuk do të bëhej kurrë anëtare e Kombeve të Bashkuara. “Duke zgjedhur rrugën e veprimeve të njëanshme, Kosova nuk do të futet në radhët e anëtarëve të komunitetit ndërkombëtarë që gëzojnë njohje të plotë. Për fat të keq, disa vende do ta njohin, megjithëse do të ishte një shkelje e rezolutës 1244 dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por nuk do të vijë dot këtu në OKB si anëtare me të drejta të plota. Nuk do të jetë në gjendje që të anëtarësohet në institucione të tjera politike dhe ndërkombëtare”.

Seanca e djeshme e Këshillit të Sigurimit kishte si synim të përqendrohej tek veprimtaria e misionit të OKB-së në Kosovë dhe jo tek diskutimet për statusin. Joachim Rucker, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së informoi Këshillin për misionin e OKB-së. Ai u tha gazetarëve më pas se UNMIK-u ka bërë ç’ka mundur duke pasur parasysh rrethanat, por se çështja e Kosovës duhet zgjidhur. //ad//

XS
SM
MD
LG