Lidhje

Majkëll Çertof: Evropa po bëhet terren i terrorizmit

  • Tendai Mafoza
  • Londër

Sekretari i Sigurisë Kombëtare Majkël Çertof, thotë se në Shtetet e Bashkuara ka një rritje të kërcënimit për sulme terroriste nga Evropa Perëndimore.

Duke folur për radion BBC, Majkël Çertof vuri në dukje rritjen e terrorizmit me burim nga brenda Evropës dhe paralajmëroi se Evropa Perëndimore mund të bëhet gjithnjë e më shumë një terren për zhvillimin e terrorizmit.

Në një intervistë, zoti Çertof tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë për të forcuar masat e sigurisë, përfshirë kontrollin ndaj udhëtarëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga Evropa Perëndimore. Ai tha se kontrolle të tilla janë të nevojshme.

“Ne kemi një program që lejon shumicën e evropianëve që vijnë si turistë, që të udhëtojnë pa viza. Kjo do të thotë, që kontakti ynë i parë me ta është kur ata hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe kjo krijon një dritare fare të vogël mundësie për t’i kontrolluar”.

Zoti Çertof nuk tha konkretisht se çfarë masash mund të merren në përpjekje për të zbuluar terroristët, por shtoi se do të merren masa, që udhëtimet dhe biznesi të mos preken negativisht.

“Ne po përpiqemi të gjejmë një rrugë, që të kontrollojmë njerëzit të cilët vijnë nga Evropa pa penguar rrjedhën e udhëtimit dhe tregëtisë, që është një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë sonë”.

Zoti Çertof përmendi shpërthimet me bomba në Madrid në vitin 2004 dhe sulme të tjera të mëpasshme, ose tentativa për sulme në Britani, si prova që terroristët gjithnjë e më shumë po e shohin Evropën edhe si objektiv, por edhe si pikënisje për sulme.

Por analisti i çështjeve ndërkombëtare Majkëll Coks i Fakultetit të Ekonomisë në Londër, i tha Zërit të Anerikës se megjithëse ai i kupon shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, ai nuk beson se qeveria amerikane do të arrijë deri aty, sa t’u kërkojë udhëtarëve nga Evropa Perëndimore, që të kërkojnë viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara.

“Ata nuk do të heqin dorë nga programi për shmangien e vizave. Do të ishte shumë problematike dhe e vështirë dhe do të dërgonte një sinjal të gabuar politik. Së dyti, do t’i ngadalësonte shumë gjërat. Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë që njerëzit të regjistrohen. Kështuqë besoj se do të jetë një procedurë që 48 apo 72 orë para nisjes, ose edhe më parë, udhëtarët të regjistrohen në një sistem qendror kompjuteri që u jep zyrtarëve më shumë kohë që të kryejnë kontrolle”.

Prof. Koks thotë se nuk beson që një program i tillë të ketë një ndikim të madh tek marrëdhëniet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, nëse zbatohet. Ai tha se për udhëtarët kjo mund të sjellë pak probleme, por shtoi se njerëzit janë mësuar tani me kufizime të tilla.//lk

XS
SM
MD
LG