Lidhje

NASA: Akulli i Arktikut dhe Groenlandës po shkrihet me shpejtësi

  • Pol Sisko

Të dhëna satelitore të kohëve të fundit nga Agjencia Amerikane e Hapësitës, NASA tregojnë se akulli që mbulon rajonin e Arktikut dhe Groenlandën po shkrin me një ritëm më të shpejtë se sa ishte menduar më parë:

Shkencëtarët metereologë në Qendrën e Fluturimeve të Hapësirës të NASA-s, në Grinbelt të Merilandit, pranë Uashingtonit, thonë se Arktiku mundet të mbetet tërërisht pa akull në fundin e verës së vitit 2013.

Akulli i oqeaneve po pakësohet më me shpjetësi se sa ishte parashikuar nga të gjitha modelet shkencore. Xhei Zuali është shkencëtar i projektit satelitor të NASA-s për akullin, në Qendrën Godard.

"Ne jo vetëm që kemi një atmosferë e cila po ngrohet, por kemi një paralajmërim se këtë proces po e përjeton edhe oqeani. Për të gjithë ka qenë i papritur ky pakësim i shtresës së akullit dhe kjo të le të kuptosh se ndoshta po shkojmë deri në pikën e përmbysjes."

Ai e shpjegon në këtë mënyrë këtë koncept:

"Nëse shtyn diçka si një gotë, psh, deri në një pikë të caktuar, atë mund ta marrësh prapë, por nëse e shtyn më tepër se duhet, deri në pikën e përmbysjes, pastaj nuk kthehet më, gota thyhet. Ajo që po ndodh tani në Oqeanin Arktik, është se akulli i oqeanit po hollohet."

Sipërfaqja e akullit po zvogëlohet. Kjo e bën oqenin të jetë më i ekspozuar ndaj nxehtësisë dhe diellit, pra ka shumë mundësi, që Deti Arktik të jetë tani në pikën e fundit, kur edhe nëse klima nuk ngrohet më tepër dhe qëndron në këto nivele temperaturash që është tani, pjesa më e madhe e akullit të oqeanit do të pakësohet dhe do të zhduket deri në fund të verës. Mark Serreze është studjues me përvojë në Qendrën Kombëtare Amerikane për të Dhënat e Borës dhe Akullit, në Kolorado.

"Deri në shtatorin e vitit 2006 ne kemi humbur sasinë e akullit me një ritëm, pak më tepër se 9 për qind në një dekadë. Kjo është e barazvlerëshme me rreth 100 mijë kilometra katrore në vit, që është një sasi e konsiderueshme."

Gjatë vitit 2007 kjo shifër është rritur edhe më tej. Kjo pamje me satelit nga NASA tregon hapësirën mesatare të akullit në Arktik gjatë 30 vjetëve të fundit. Zona e gjelbërt tregon shkrirjen në fund të verës së kaluar.

"Më e rëndësishme është se kjo zonë që mbetet, është tani më e hollë. Këtu ka patur shumë më tepër akull, një shtresë 3,4,5, apo 6 metra të trashë dhe tani e gjithë kjo masë është zhdukur", - thotë studjuesi.

Të gjitha modelet klimatike janë të ndryshme dhe ekziston mundësia që prirja e shkrirjes mund të çojë në rezultate më pak ekstreme nga sa ishte parashikuar.

Mundësia tjetër është se mund të ndodhë më keq nga sa parashikohet dhe ky është një shembull i veçantë i akullit të Polit të Veriut, ku ky proces po ndodh dhe ajo që shohim me satelit, është aktualisht më keq se sa parashikohej tek modelet shkencore. Ai shton se këto modele mbështeten edhe nga vëzhgime dhe matje të bëra direkt në rajonin arktik.//lk

XS
SM
MD
LG