Lidhje

Si u caktua kufizimi i mandateve presidenciale në Amerikë

  • Xhefri Jang

Kushtetuta amerikane kërkon që presidentët të largohen nga detyra pas një periudhe të caktuar, duke parandaluar kontrollin pafund të degës ekzekutive nga një person. Në vazhdim të ciklit “Si zgjedh Amerika”, i hedhim një vështrim mënyrës sesi u caktua kufizimi i mandateve presidenciale.

Çdo president amerikan, pavarësisht sa popullor e sa i fuqishëm, mund të zgjidhet vetëm për 2 mandate. Pas kësaj ai largohet. Ky ishte synimi i themeluesve të Shteteve të Bashkuara, një synim që më pas u bë pjesë e kushtetutës amerikane.

Tradita amerikane e kufizimit të mandateve presidenciale filloi me presidentin e parë, Xhorxh Uashington, i cili u largua nga posti pas dy mandateve për arsye që shpjegohen nga profesori Mark Rom i universiteit Xhorxhtaun.

“Presidenti Uashington donte të shmangte kultin e individit. Ai gjithashtu donte të shmangte kalimin në monarki. Dhe nëse ju keni një president që mund të qëndrojë në detyrë pa afat, frika është se ky post do të bëhet i përjetshëm dhe nuk do t’i shërbejë publikut”.

Kështu pra filloi tradita e qendrimit të presidentëve jo për më shumë se dy mandate, diçka që themeluesit e Shteteve të Bashkuara gjithashtu e panë si një mjet për të nxitur një mjedis politik shumë-partiak. Kjo vazhdoi kështu derisa Julisis Grant, republikan, fitoi presidencën në vitin 1868 dhe 1872. Në vitin 1880 ai nuk pati sukses. Herën tjetër që një president kërkoi të zgjidhej për një mandat të tretë ishte më 1912.

Republikani Teodor Rusvelt, i cili shërbeu nga viti 1901 deri më 1909, u largua nga partia e tij dhe krijoi një të re, Partinë Progresive, për të sfiduar kandidatin republikan, Uilliam Hauard Taft. Rusvelti fitoi ndaj Taftit, por humbi ndaj demokratit Udrou Uillson, i cili fitoi postin e Shtëpisë së Bardhë.

I vetmi president amerikan i zgjedhur për më shumë se dy mandate ishte demokrati Franklin D. Rusvelt. Më 1940, pasi Rusvelti kishte shërbyer dy herë si president, Evropa e Azia ishte përfshirë nga Lufta e Dytë Botërore. Rusvelti paraqiti kandidaturën dhe fitoi mandatin e tretë e më pas një mandat të katërt.

Ndjenjat e elektoratit të asaj periudhe përshkruhen nga profesori Lorenzo Morris i Universitetit Hauard.

“Përgjigja më e thjeshtë është se Amerikanët e kuptojnë se në kohë të vështira ata, si çdo popull tjetër në kohë të ngjashme, janë të prirur për të rizgjedhur udhëheqësit e tyre. Vemendja e tyre përqendrohet tek udhëheqësi”.

Në vitin 1946, Partia Republikane morri kontrollin e Kongresit dhe miratoi një shtojcë kushtetuese që nuk lejonte zgjedhjen e një presidenti për më shumë se dy mandate. Profesori Mark Rom shpjegon arsyen e Kongresit për të ndërmarrë një hap të tillë.

"Republikanët ishin të shqetësuar se një president liberal për 4 mandate në detyrë nuk ishte mirë për ta dhe për të shmangur këtë miratuan një shtojcë kushtetuese sipas së cilës, një president nuk mund të shërbejë për më shumë se dy mandate”,- thotë profesori.

Amendamenti i 22-të i kushtetutës së Shteteve të Bashkuara u ratifikua nga të gjitha shtetet brenda vitit 1951. Një president mund të zgjidhet për dy mandate 4 vjeçarë dhe mund të shërbejë edhe për më pak se gjysmë mandati nëse presidenti i mëparshëm vdes në detyrë ose largohet.

Ndërkohë që disa politikanë kanë kërkuar shfuqizimin e Amendamentit të 22-të, të tjerë thonë se ky amendament është ajo që themeluesit e Shteteve të Bashkuara synonin për të siguruar një demokraci gjithnjë në veprim.//lk

XS
SM
MD
LG