Lidhje

Rezerva Federale: Ekonomia ka nevojë për masa ndihmëse

  • Majkëll Bauman

Drejtori i Rezervave Federale, emri me të cilin njihet Banka Qendrore Amerikane, tha se ekonomia amerikane po ngadalësohet dhe ka nevojë për një paketë masash afat-shkurtëra për të nxitur rritjen dhe për të shmangur keqësimin e saj të mëtejshëm. Këto komente drejtori i Rezervave Federale Ben Bernake i bëri sot gjatë një dëshmie në Kongres.

Disa njoftime të njëpasnjëshme negative, si rënia e ritmeve të zhvillimit ekonomik, shtimi i papunësisë dhe ngritja e çmimeve energjitike, kanë nxitur thirrje të shumta për miratimin e një pakete nismash për të nxitur zhvillimin ekonomik. Udhëheqës të të dyja partive politike, si dhe shumica e kandidatëve presidencialë, madje edhe vetë Shtëpia e Bardhë, po bëjnë thirrje për masa konkrete për të nxitur ekonominë dhe për të ndihmuar ata që janë prekur më shumë nga vështirësitë e fundit ekonomike.

Duke folur sot para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, Drejtori i Rezervave Federale Ben Bernanke, shtoi zërin e tij, ndonëse duke u treguar i kujdesshëm, me zërat e tjerë që kërkojnë stimuj nxitës.

“Jam dakort, që në parim, masat financiare mund të ndihmojnë, ndërsa stimujt monetarë dhe buxhetorë, së bashku mund të ofrojnë mbështetje më të gjerë për ekonominë se sa thjesht polikat monetare. Për të qënë e suksesshme, një paketë fiskale duhet të zbatohet me shpejtësi dhe të strukturohet në formë të tillë, që pasojat e saj të ndihen sa më shumë që të munden brenda 12 muajve të ardhshëm.” - tha zoti Bernanke.

Zoti Bernanke tha se po vihen re prirje shqetësuese si rënia e çmimit të shtëpive dhe zvogëlimi i tregut të kreditimit. Ai parashikoi që rënia e tanishme ekonomike do të vazhdojë gjatë 2008 e ndoshta deri në 2009. Për të ndikuar mbi ekonominë, Banka Qendrore ka në dispozion një mjet të rëndësishëm: interesat bankare.

Deri tani, Banka Qendrore i ka ulur disa herë interesat gjatë muajve të fundit dhe zoti Bernanke la të kuptohet, se mund të ketë ulje të tjera në të ardhmen, në se kjo do të jetë e nevojshme. Paketat stimuluese ekonomike zakonisht marrin formën e shtimit të shpenzimeve buxhetore, ulje taksash ose një kombinim i të dyjave.

Për vite me radhë, Presidenti Bush i ka bërë thirrje Kongresit t’i bëjë të përhershme uljet e taksave, që u miratuan në fillim të presidencës së tij 7 vjet më parë. Presidenti thotë se ishin pikërisht këto ulje taksash që ndikuan në rritjen ekonomike. Por pas disa vitesh ato do të skadojnë.

Demokratët i kanë kritikuar ashpër uljet e taksave, duke thënë se nga to kanë përfituar të pasurit dhe është dëmtuar gjendja financiare e vendit. Ligjvenësi demokrat Çet Eduards e pyeti zotin Bernanke në se miratimi i ligjit për t’i bërë të përhershme shkurtimet e taksave, do të ofronte ata stimujt afat-shkurtër ekonomikë që ai kërkoi.

“Sipas mendimit tuaj, iu drejtua ligjvensësi drejtorit të Bankës Qendrore, në se ne i bëjmë të përhershme shkurtimet e taksave, që do të skadojnë pas tre vjetësh, a do të kishin ato ndonjë ndikim të ndjeshëm mbi gjendjen e tanishme ekonomike?” - tha ligjvënësi.

Zoti Bernanke la të kuptohet se ato nuk do të kishin ndikim për tani dhe theksoi se ai nuk mund të gjykonte ndikimin e tyre afat-gjatë për ekonominë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Freto tha se Presidenti Bush beson se një paketë afat-shkurtër me stimuj ekonomikë është e nevojshme. Presidenti zhvilloi sot një telekonferencë me drejtuesit e Kongresit dhe Sekretarin e Thesarit Henri Polson, për të diskutuar mbi gjendjen ekonomike dhe masat për nxitjen e saj.//lk

XS
SM
MD
LG