Lidhje

Vdes ish kampioni botëror i shahut Bobi Fisher


Shahisti Bobi Fisher, fitorja e të cilit, në kampionatin botëror të vitit 1972, u pa si fitore amerikane në rivalitetin me Bashkimin Sovietik, vdiq në Rekjavik të Islandës në moshën 64 vjeçare. Shkaku i vdekjes nuk dihet ende.

Bobi Fisher fitoi kampionatin e shahut për të rinj në moshën 13 vjeç, dhe Kampionatin e Hapur amerikan një vit më vonë. Në moshën 15 vjeçare ai u bë lojtari më i ri në rangun e shahistëve më të mirë ndërkombëtarë. Fitorja e tij në moshën 29 vjeçare në kampionatin botëror shihet ende si fitorja e një beteje të Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovietik.

Zoti Fisher ishte nxitur edhe nga vetë Henry Kisinger, i cili ishte sekretar amerikan shteti në kohën e lojës së kampionatit të vitit 1972 kundër shahistit të Bashkimit Sovietik, Boris Spaski në Rekjavik të Islandës.

Fitorja e Bobi Fisherit i dha fund dy dekadave të fitoreve të vazhdueshme sovjetike në shah. Por zoti Fisher nuk pranoi të mbronte titullin e tij, gjë që i hapi rrugë një brezi të rinj kampionësh sovietikë, mes të cilëve edhe Gary Kasparov.

Zoti Kasparov ishte nëntë vjeç kur Bobi Fisher e la shahun. Ai i tha Zërit të Amerikës se kontributi i zotit Fisher ishte revolucionar për lojën e shahut.

“Ai fitoi kundër shkollës sovietike të shahut i vetëm dhe i mundi të gjithë lojtarët më të mirë të botës me fitoret më të bindshme të para ndonjëherë në lojën e shahut.”

Gary Kasparov thotë se kontributi i Bobi Fisherit në shah shkonte përtej 64 kutive të fushës së shahut, sepse ai luftonte për kushte më të mira në garat e shahut. Kjo bëri që Boris Spaski ta quante rivalin e tij “shefin e sindikatës së shahistëve.”

Mes të tjerash, Bobi Fisher arriti që t’u siguronte kampionëve të shahut më shumë para për çmimet që merrnin. Ai fitoi 3 milionë dollarë kur u kthye në lojë në vitin 1992 për një ndeshje tjetër kundër Spaskit në Beograd. Megjithatë, vendi i ndeshjes shkelte embargon amerikane kundër atij shteti, të vendosur gjatë luftës së Serbisë kundër ish republikave jugosllave.

Duke rrezikuar burgosjen në Shtetet e Bashkuara, Bobi Fisher u zhduk deri në sulmet e 11 shtatorit 2001 në Amerikë, kur i telefonoi një stacioni në Filipine me komente anti-amerikane që vlerësonin sulmet terroriste kundër vendlindjes së tij. Ai më vonë kaloi më shumë se 8 muaj në burg në Japoni duke sfiduar kërkesën amerikane për ekstradim. Më në fund, Islanda i dha atij azil dhe nënshtetësi.

Pjesën më të madhe të kohës pas kampionatit botëror, zoti Fisher jetonte si i varfër duke u endur nëpër hotele të lira. Ai filloi të bëhej anti-semitist i hapur, pavarësisht se nëna e tij ishte hebre. Garry Kasparov thotë se natyra e pazakontë e Bobi Fisherit kishte dalë në pah dhe e drejtonte atë.

“Vitet e fundit të zotit Fisher nuk e kanë ndihmuar imazhin e lojës së shahut. Përkundrazi, ndihmonin pikëpamjet e atyre që mendonin se shahu ishte i dëmshëm për shëndetin mendor.”

Zoti Kasparov thotë se varrosja e Bobi Fisherit në Islandë është e përshtatshme, meqenëse Rekjaviku, kryeqyteti i Islandës, është edhe vendi i lavdisë së tij më të madhe. //bsa//

XS
SM
MD
LG