Lidhje

SHBA: Zgjedhësit përgatiten për votimet partiake në Nevada

  • Majk O'Sallivan

Përkrahësit e kandidatëve demokratë, apo republikanë po përgatiten për zgjedhjet partiake që do të zhvillohen nesër në Nevada. Ky është një ndër shtetet me popullsinë më të përzier në Amerikë. Latino-amerikanët përbëjnë afro 25 për qind të banorëve, sipas zyrës për numërimin e popullsisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës shte në Las Vegas, dhe njofton mbi të parin shtet në rajonin perëndimor të Shteteve të Bashkuara, që zhvillon garën për zgjedhjen e kandidatit të secilës parti. Siç shpjegon kronika në vazhdim, votuesit po e presin me entuziazëm ditën e zgjedhjeve:

Kandidatët vazhdojnë përpjekjet deri në minutën e fundit për të tërhequr votues, qoftë me reklama në media apo me takime personalisht. Kur demokratët erdhën këtu për debat të martën, përkrahësit e tyre ishin të mobilizuar plotësisht. Suki Stanley dhe Barb Borden kanë qenë në një klasë me Hillari Klinton në shkollë fillore në shtetit Ilinoi. Ata kanë dalë për ta mbështetur, pasi i kanë impresionuar planet e saj për arsimin dhe kujdesin shëndetësor.

"Kemi ardhur në Nevada pasi kemi qenë miq me zonjën Klinton prej vitesh, por mbi të gjitha, për arsye të aftësive të saj udhëheqëse dhe angazhimit të saj për vendin, për njerëzit, në veçanti për gratë dhe fëmijët", - thonë ata.

Larg syve të publikut, politikanë dhe aktivistë partiakë punojnë për të ndihmuar kandidatët. Dy sindikata që përfaqësojnë punonjësit e hoteleve dhe kazinove kanë shprehur përkrahje për Barak Obamën. Vullnetarët bëjnë telefonata për të tërhequr përkrahës për kandidatët, përfshirë republikanin John McCain.

Senatori republikan në kongresin shtetëror të Nevadës, Denis Nolan thotë se për banorët e këtij shteti, imigracioni dhe shfrytëzimi me kujdes i burimeve natyrore, si uji, janë ndër çështjet më të rëndësishme:

Nga pikëpamja ideologjike, shtetet perëndimore si Utah, Nevada, Arizona, Idaho e biles edhe Kolorado kanë qëndrime të përafërta me njëri-tjetrin. Tani që votimet partiake në Nevada u përshpejtuan për t’u zhvilluar në janar, zëdhënësi i Partisë Republikane Steve Wark, thotë se gara është e paparashikueshme dhe një numër më i madh shtetesh po marrin rëndësi kyçe në këto zgjedhje:

"Ne jemi të vlefshëm në këtë garë. Shumë shtete të tjera kanë marrë rëndësi. Shpesh ndodhte më parë, kur zgjedhjet partiake zhvilloheshin në një moment më të vonshëm të fushatës, gara kishte marrë udhë dhe ishin piketuar fituesit, megjithëse disa shtete ende nuk kishin pasur rastin të thonin fjalën e tyre. Kështu që në 2008 patëm një ngutje të madhe për të përshpejtuar zgjedhjet partiake që çdo shtet të ishte sa më i rëndësishëm që të ishte e mundur në këtë garë,"- thotë ai.

Në Universitetin e Nevadës Jugore, i cili organizoi debatin e fundit të kandidatëve demokratë, udhëheqës studentorë diskutojnë çështje politike. Taylor Gray, demokrat, ka vendosur të mbështesë Hillari Klinton, i impresionuar nga përgjigjet e saj në debat. Republikani Rejkuon Snead ende nuk ka vendosur:

"Nuk kam marrë ende pjesë në zgjedhje presidenciale, por pata rastin të votoj për zgjedhjen e guvernatorit, si dhe në disa zgjedhje për këshillin bashkiak. Është hera e parë që do të marr pjesë në zgjedhje presidenciale dhe jam shumë i gëzuar ",- thotë ai.

Zgjedhjet partiake që zhvillohen nesër janë prova e parë zgjedhore në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG