Lidhje

Zgjedhjet e 20 janarit: Në ç'drejtim do të shkojë Serbia?


Një aleat i ish presidentit autokrat Sllobodan Milloseviç dhe një politikan i moderuar pro-perëndimor janë pretendentët kryesorë në garën për president të Serbisë. Në varësi se kush do të zgjidhet, votimet që do të zhvillohen nesër ose do ta shtyjnë Beogradin më pranë Bashkimit Europian ose do ta zhysin atë përsëri në izolim.

Serbia ndodhet në një moment kritik për të ardhmen e saj: asaj i kërkohet me ngulm nga Perëndimi të arrestojë personat e akuzuar për krime lufte ndërkohë që votimet e nesërme pritet të pasohen nga një deklaratë pavarësie e Kosovës. Prandaj duket se zgjedhjet presidenciale do të përcaktojnë kursin që do të ndjekë vendi në të ardhmen.

Në krye të anketave por shumë pranë rivalit, është Tomislav Nikoliç i partisë Radikale Serbe ultranacionaliste, e cila mbështeti Millosheviçin gjatë luftrave të tij të viteve 90, deri sa u rrëzua nga kryengritja popullore.

Duke folur të mërkurën në një miting në pallatin e sporteve Arena të Beogradit, zoti Nikoliç tha : "Këto janë zgjedhje për presidentin e Serbisë dhe jo për presidentin e Rusisë, të BE-së apo të Amerikës. Këto janë punët tona dhe askush nuk duhet të na ndërhyjë."

Homologët perëndimorë ka të ngjarë t’i kthejnë shpinën zotit Nikoliç nëse ai zgjidhet pasi ai ka kërcënuar të ndërpresë marrëdhëniet me cilindo vend që njeh pavarësinë e Kosovës. Emrin e partisë së tij jashtë vendit e errëson akoma më shumë fakti që shefi i tij si udhëheqës i Partisë Radikale Vojislav Sheshel po gjykohet në Hagë.

Analistët serbë thonë se mbështetja perëndimore për pavarësinë e Kosovës i ka sjellë një avantazh Nikoliçit dhe nacionalistëve të tjerë përpara zgjedhjeve. Për shkak të mbështetjes së Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës, zoti Nikoliç, ka deklaruar se “Serbia më mirë të bëhet provincë e Rusisë se sa koloni e BE-së” dhe ka thënë se ka besim te fitorja megjithë pikpamjet e udhëheqësve në kryeqytetet e tjera.

Rivali i tij kryesor është Presidenti i tanishëm Boris Tadic, udhëheqësi telegjenik i Partisë Demokratike properëndimore. "Objektivi ynë qendror është: drejt Europës me identitet kombëtar, drejt Europës me Kosovën. Ne nuk do të heqim dorë kurrë nga objektivi europian dhe nga objektivi për Kosovën, nga e ardhmja europiane, nga identiteti ynë." Ashtu si rivali i tij, zoti Tadiç është kundër shkëputjes së Kosovës por me një ndryshim thelbësor: ai thotë se do të vazhdojë të kërkojë lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian edhe nëse Kosova bëhet e pavarur me bekimin e BE-së.

Politikanët në Serbi dhe jashtë saj kanë paralajmëruar se një fitore e Nikoliçit do t’i zhgënjente shpresat e Beogradit për anëtarësim në BE dhe do ta zhyste Serbinë përsëri në izolim ndërkombëtar si në kohën e Millosheviçit. Komente të tilla po krijojnë shqetësim në Serbi se kjo mund të çonte në pakësimin e deri në ngrirjen e mbëshetjes finjanciare dhe politike nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara ose organizatat ndërkombëtare. //rd//

XS
SM
MD
LG