Lidhje

Lufta e Çarli Uillsonit: Si u shpërblye puna e kongresmenit


Një film i ri i Hollivudit na sjell në një këndvështrim mjaft të veçantë mbështetjen e fshehtë që Shtetet e Bashkuara u jepnin kryengritësve afganë për të luftuar kundër pushtimit sovjetik të Afganistanit në vitin 1979. Filmi quhet "Charlie Wilson's War" “Lufta e Çarli Uillsonit” dhe përshkruan përpjekjet e një kongresmeni amerikan për të grumbulluar fonde me të cilat do të bliheshin armë për të dëbuar ushtrinë sovjetike nga Afganistani. Historia provoi se përpjekjet e këtij kongresmeni këmbëngulës u shpërblyen me atë që ndodhi më pas.

Filmi “Lufta e Çarli Uillsonit” flet për jetën e pazakontë të këtij kongresmeni amerikan me një karakter shpesh të papërmbajtshëm . Çarli Uillson njihej mirë për qendrimet e tij të ashpra ndaj tabuve sociale. Por figura e tij mori një shkëlqim të ri me kundërshtimin e papërmbajtur që ai i bënte pushtimitg të Afganistanit nga Bashikimi i atëhershëm Sovjetik.

Aktori i mirënjohur Tom Hanks, i cili luan në film rolin kryesor, thotë se ishte Çarli Uillson i vërtetë që i dha atij mbështetjen e plotë për realizimin e rolit. "Ai na e tha hapur qysh në fillim: Ju mund të thoni ç’të doni për mua sepse të gjitha këto janë të vërteta, janë gjëra që i kam jetuar vetë. Ajo që dua unë është që filmi të pasqyrojë me vërtetësi rëndësinë e atij misioni."

Aktorja Julia Roberts luan zonjën Joanne Herring, një grua e pasur nga Teksasi, antikomuniste e vendosur e cila e bind zotin Uillson të shfrytëzojë pozitën e tij në Kongres për të mbështetur rezistencën afgane.

Aktori Philip Seymour Hoffman luan rolin e një agjenti praktik të CIA-s i cili e ndihmon Uillsonin të blejë armë për afganët e dëshpëruar ndërsa aktori i njohur indian Om Puri luan rolin e presidentit pakistanez Zia ul-Hak.

Këmbëngulja e Uillsonit ndihmoi që Shtetet e Bashkuara të shtonin shpenzimetg për operacionet sekrete nga Afganistan, nga 5 milion në 500 milion dollarë në vit, duke dhënë armatimet e nevojshme për organizimin e një rezistence të efektëshme. "Do të ishte e pamundur që kjo të sajohej. Një histori e tillë nuk mund të shpiket nga mendja sepse njerëzit nuk të besojnë lehtë po t’u thuash se ishte një individ i vetëm që solli një ndryshim kaq të madh," thotë aktorja Xhulia Roberts. Pas dëbimit të sovjetikëve, përpjekjet e Çarli Uillsonit për të sigurua fonde rindërtimi për Afganistanin patën pak sukses por historia e asaj që ai mundi të realizojë tingëllon sot sa e këndëshme aq edhe frymëzuese. //rd//

XS
SM
MD
LG