Lidhje

20 milionë amerikanë të moshës 18-34 vjeç jetojnë me prindërit


Amerikanët dallojnë për shpirtin sipërmarrës dhe për dëshirën për pavarësi financiare. Duke qenë edhe një vend me standart të lartë jetese, merret përgjithësisht si e mirëqenë që çdokush mund të ketë makinën e vet, dhe banesën e vet qoftë me qera apo me kredi.

Një armatë e tërë të rinjsh amerikanë jetojnë për vite me radhë pas adoleshencës me prindërit, disa për arsye të vështirësive financiare, të tjerë pasi ndjehen të papërgatitur për përgjegjësitë e jetës së pavarur.

Në vitet ’30, Thomas Wolfe shkroi një roman shumë të suksesshëm të titulluar “Nuk mund të kthehesh më në shtëpi.” Ky titull i bën jehonë një botëkuptimi që e kanë përqafuar shumë veta në Amerikë. Kur një i ri largohet nga shtëpia për të filluar jetën diku tjetër, thonë shumë amerikanë, është e vështirë, biles e dëmshme dhe anormale të kthehet përsëri.

Megjithatë, zyra amerikane për regjistrimin e popullsisë përllogarit se afro 20 milionë meshkuj e femra të moshës nga 18-34 vjeç jetojnë sot me prindërit. Disa prej tyre janë kthyer përsëri në banesën e prindërve pasi kanë jetuar disa vite të shkëputur. Shumë prej tyre zbuluan pasi u shkëputën se jeta e pavarur nuk është e lehtë, veçanërisht kur nuk fiton shumë para.

Në rastin e disa të tjerëve, ka pasur martesa apo marrëdhënie të dështuara apo shumë prej tyre kthehen pasi i lënë në mes studimet universitare. Në atë moment, ata trokasin përsëri në portën e nënës dhe babait, me bindjen se do të qëndrojnë vetëm disa muaj.

Sociologia Cynthia Graves ka shkruar se këta të rinj janë hedhur në etapën e pjekurisë me mendimin se u takojnë të mirat materiale në jetë – shtëpia e tyre, makina, pushimet. Kur e kuptojnë se nuk është e lehtë t’i sigurosh këto gjëra në jetë, ata futen në borxhe kolosale dhe përfundojnë përsëri me mamin e babin, pasi nuk përballojnë dot shpenzimet e përditshme dhe pagimin e borxheve.

Nëse i pyet shumë nga këta të rinj, do të mësosh se ideja e bashkëjetesës në një shtëpi me prindërit është shumë e pakëndshme. Megjithatë, ata janë të vetëdijshëm se kjo është një jetë pa strese financiare dhe deri në një farë mase ata kanë mësuar t’i manipulojnë prindërit.

Ndodh shpesh që një 30-vjeçar që ka qenë më parë i pavarur, kthehet në parazit, pasi nëna dhe babai fillojnë të gatuajnë për të, t’i lajnë rrobat e t’i rregullojnë dhomën. Biles edhe në Amerikë tashmë njerëzit kanë filluar të mos e shohin bashkëjetesën e fëmijëve të rritur me prindërit si një anomali të jashtëzakonshme. Nganjëherë njëri ose të dy prindërit ndjehen tepër të entuziazmuar nga ideja që i biri apo e bija po kthehet në shtëpi.

Por në shumë raste prindërit e pranojnë këtë fakt me kushtin që sapo të ketë mundësi, ky adoleshent i rritur të rifillojë jetën e tij të pavarur. Përndryshe, kjo periudhë kalimtare kthehet në një adoleshencë pa fund. //bsa//

XS
SM
MD
LG