Lidhje

Sot amerikanët kujtojnë ditën e lindjes së Martin Luter Kingut


Sot, më 21 janar, amerikanët e kanë ditë feste, kur kujtojnë ditën e lindjes së Martin Luter Kingut, afrikano-amerikanit pionier të të drejtave civile. Në Atlanta të Xhorxhias, udhëheqës të të drejtave civile, ish-Presidenti Bill Klinton dhe kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale ishin ndër qindra pjesëmarrës në ceremonitë përkujtimore që u zhvilluan në kishën ku Dr. Kingu ka qenë prift. Ndërkaq, Presidenti dhe bashkëshortja e tij Laura Bush e shënuan këtë ditë me një vizitë në Bibliotekën Përkujtimore Martin Luter King, në Uashington. Martin Luter Kingu ishte një figurë e rëndësishme që solli ndryshime në një kohë, kur pjesa më e madhe e jugut të Amerikës vazhdonte të jetonte ndarjen racore dhe miliona afrikano-amerikanë përballeshin me diskriminimin, dhunën dhe frikësimin.

28 Gusht 1963 - “Unë kam një ëndërr, që një ditë ky vend do të zgjohet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij. Ne e dimë se këto janë të vërteta të pamohueshme dhe se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”

Me këtë fjalim, para qindra mijëra njerëzve në Uashington, në gusht të vitit 1963, Martin Luter Kingu ngriti peshë të gjithë publikun amerikan me thirrjen e tij elokuente, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë.

Gjatë viteve ‘50 dhe ‘60, Martin Luter Kingu u bë njeri i shquar, duke predikuar kundër dhunës, duke marrë pjesë në shumë protesta dhe bojkotime dhe duke bërë thirrje që t’i jepet fund segregacionit dhe diskriminimit racor.

Ka nga ata që kanë thënë se ne do të arrinim këtu, vetëm duke shkelur mbi trupat e tyre të vdekur. Sot e gjithë bota e di se ne tani jemi këtu dhe se po qëndrojmë para forcave të pushtetit në shtetin e Alabamës, duke thënë se ne nuk do të lejojmë askënd të na kthejë mbrapsht. K

ëto demonstrata ishin momente kthese në lëvizjen për të drejtat e njeriut në Amerikë, e cila çoi në miratimin e ligjeve që garantojnë të drejta të barabarta për afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera. Çdo vit, në këtë ditë feste kombëtare që përkujton ditëlindjen e tij, amerikanët nderojnë kujtimin e doktor Kingut.

Kurt Shmok ishte afrikano-amerikani i parë që u zgjodh në vitin 1987 në postin e Kryetarit të Bashkisë në qytetin e Baltimorës, në shtetin e Marylandit. Zoti Shmok përmend zgjedhjet presidenciale të këtij viti, ku po marrin pjesë dy senatorë, njëri një afrikano-amerikan dhe tjetra, një ish-zonjë e parë e fuqishme. Ai thotë se fakti që Barak Obama dhe Hillary Clinton kryesojnë garën e Partisë Demokrate, duhet të shërbejë si një ngjarje për t’u kremtuar, si një rast i shënuar, që flet për ndryshimin e klimës politike në Amerikë gjatë 4 dekadave të fundit.

"...Dhe çështja që ngrihet këtë vit zgjedhjesh është “A kemi arritur këtu? A kemi ardhur në një kohë kur njerëzit nuk gjykohen më nga ngjyra e tyre e lëkurës, por nga parimet, idealet dhe karakteri i tyre? ...Çdo vit është e rëndësishme të mendojmë rreth ideve, për të cilat fliste Doktor Kingu me të cilat ai nënkuptonte zbatimin e idealeve të Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës Amerikane?"

Më 4 prill të vitit 1968, Martin Luter Kingu u vra në Memfis të shtetit Tenësi. Ai ishte 39 vjeç. Një natë më parë, ai kishte thënë se e kishin kërcënuar vazhdimisht me vdekje, duke theksuar se vdekja e një njeriu, nuk mund t’i largojë kurrë shpresat e miliona njerëzve.

“Unë e kam parë Tokën e Premtuar. Ndoshta unë vetë nuk do të shkoj dot atje me ju, por dua t’u them sonte, se ne si popull do të shkojmë të Tokën e Premtuar. Prandaj, unë sot ndjehem i lumtur, nuk shqetësohem për asgjë dhe nuk ia kam frikën askujt. Sytë e mi e kanë parë lavdinë e ardhjes së të Plotfuqishmit Zot.” //bsa//

XS
SM
MD
LG