Lidhje

Ndikimi i mjeteve të reja të informimit në fushatën presidenciale të 2008-ës


Mijëra gazetarë nga e gjithë bota po ndjekin fushatën për zgjedhjet presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara. Në këtë armatë gazetarësh përfshihen edhe shumë qytetarë të thjeshtë, të cilët megjithëse nuk shkruajnë apo nuk raportojnë për organe shtypi me emër, kanë një blog apo një faqe elektronike ku mijëra vetë lexojnë komentet që publikohen.

Në votimet e sivjetshme kishte afro 2 mijë e 500 gazetarë të akredituar. Por shumë prej tyre punonin për mjete jotradicionale informimi, qoftë një gazetë të vogël, një blog interneti dhe faqe elektronike.

Kompania Google, e cila administron faqen elektronike YouTube i inkurajon qytetarët e thjeshtë të dokumentojnë fushatën dhe të japin opionet e tyre duke përdorur kamera të thjeshta dhe kompjuter.

Drejtori politik i kompanisë Google, Stiv Grov thotë se YouTube është shndërruar në një platformë ku qytetarët e thjeshtë mund të debatojnë çështje të rëndësishme dhe të japin opinionin e tyre.

"Në këtë faqe elektronike nuk ekziston filtri tradicional që kanë mjetet e tjera të informimit, të cilat vendosin se çfarë është në rregull e çfarë është gabim. Janë votuesit ata që thonë: Ja çfarë mendoj dhe ja ku e kam edhe regjistrimin që e mbështet këtë argument dhe ju si lexues mund ta shikoni ose jo."

Një nga grupet më aktive në ngarkimin e videove të reja në YouTube quhet “Why Tuesday” - “Pse të martën?” Drejtori Ekzekutiv Xhakob Soborof argumenton se në një farë mënyrë sistemi politik në Shtetet e Bashkuara e pengon angazhimin e votuesve në zgjedhje, pasi shumë votime zhvillohen të martën. Kjo mund të ketë qenë ditë e përshtatshme për bujqit amerikanë 200 vjet më parë, thotë ai, por në shoqërinë e sotme urbane, nuk ka shumë kuptim.

"Thjesht po themi: “Ta shohim me vëmendje dhe ndershmëri këtë sistem votimi dhe ta diskutojmë hapur.” Nuk po japim ndonjë zgjidhje, thjesht po vëmë në pikëpyetje gjendjen aktuale.

Zoti Soborof thotë se organizata e tij merr shumë material nga qytetarë të thjeshtë, të cilët regjistrojnë komunikimet që kanë me politikanë të të gjitha niveleve.

"Vetë njerëzit e thjeshtë po shndërrohen në gazetarë dhe po përqëndrojnë vëmendjen mbi zyrtarët lidhur me tema që nuk i dëgjon shumë në median tradicionale. Pikërisht ky është kontributi ynë për të shtuar pjesëmarrjen në votime."

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Dreik, Artur Senders po i ndjek me vëmendje këto zhvillime. Ai e konsideron prirjen për shfrytëzimin e teknologjisë si premtuese, por edhe si të rrezikshme për mjetet tradicionale të informimit, të cilat po humbasin shikues dhe lexues që tani i kanë kthyer sytë nga organe të fragmentizuara dhe më pak të besueshme informimi.

"Ekziston rreziku që shoqëria jonë të fragmentalizohet. Interneti, në përgjithësi kjo teknologji kaq e shumëllojshme, e kërcënon shoqërinë tonë me rrezikun e përçarjes. Profesor Senders thotë se ka rënë numri i lexuesve të gazetave apo i atyre që shikojnë emisionin e lajmeve në televizion, por këta njerëz nuk po ndjekin as mjetet e reja të informimit."

Ai thotë se blogu apo faqet elektronike tërheqin përgjithësisht vetëm ata që janë tepër të iteresuar në një numër të kufizuar çështjesh.

"Një ndër ndikimet e teknologjisë moderne është rënia e numrit të personave që i kushtojnë vëmendje politikës. Por ata që janë të interesuar kanë tani shumë më tepër burime se më parë."

Profesor Senders dhe studiues të tjerë, të cilët ndjekin prirjet në politikë dhe gazetari, do të vazhdojnë të analizojnë ndikimin që kanë këto mjete të reja informimi gjatë fushatës së 2008-s. //bsa//

XS
SM
MD
LG