Lidhje

Shqipëri: Dënime alternative për fajtorët e mitur


Gjykatat shqiptare kanë filluar që të japin dënime alternative për fajtorët e mitur, ndonëse këto dënime janë ende në një numër shumë të vogël.

Pjesa dërrmuese e gjyqtarëve vazhdojnë të dënojnë njëlloj si të rriturit ashtu edhe fëmijët. UNICEF ka marrë përsipër të ndihmojë autoritetet shqiptare në përshtatjen e ligjeve vendase me konventat ndërkombetare, dhe nga ana tjetër po kujdeset për disa të mitur që janë dënuar me punë në dobi të komuitetit.

Erjoni është vetëm 17 vjec tani që ka marë nga gjykata një dënim disamujor për vjedhje në bashkëpunim me adoleshentë të tjerë. Një gjyqtar i ri vendosi që ta shndërrojë dënimin e tij nga burgim në punë disamujore në dobi të komunitetit.

Erjoni po e shlyen gabimin e tij duke mbjellë pemë dhe ujitur lule praën një fondacioni në periferi të Tiranës, duke pritur me durim dhe pendesë që të kthehet sa më parë tek mamaja e mbetur vetëm, të rifillojë shkollën e mesme dhe të mësojë një profesion.

Erjoni thotë se ky lloj dënimi e “shpëtoi nga vuajtjet e dënimit të mbyllur, e lidhi me njerëz që ia duan të mirën, e shtyu të mendohet për jetën dhe familjen, e mësoi të largohet nga shokët e këqinj që nxitnin për krime”.

Psikologia Aferdita Deda thotë se të dënuarit e mitur reagojnë mjaft mirë ndaj dënimit me punë të dobishme, dhe kjo është rruga më e mirë për riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Kemi identifikuar deri tani 12 qendra pritëse, firma private dhe ndërmarrje shtetërore, që janë të gatshëm të mirëpresin të dënuar të tillë të mitur, deri në afro 40 persona. Drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve dëshirojnë që të ndrihmojnë fëmijët në këtë projekt” - tha ajo.

Erjoni është njëri nga ata fatlumët e pakët që dënohen me punë të dobishme sepse ato numërohen me gishta. Shumica e moshatarëve të tij dënohen me burg në qeli.

Mesatarisht cdo vit në gjykatat shqiptare dënohen rreth 300 të mitur për krime të lehta, por gjyqtarët ende hezitojnë të japin dënime alternative, ndërkohë që hapësirat e ligjit për t’i përdorur ato janë tepër të ngushta.

Leon Shestani është drejtor projekti në UNICEF për drejtësinë e të miturve. Ai bashkë me përfaqësues të shoqatave që mbrojnë fëmijët po bashkëpunojnë me ministrinë e drejtësisë për të hartuar ligje që përputhen me Konventat Ndërkombëtare të kësaj fushe.

“Për të miturit, një trajtim i tillë i personalizuar do të sjellë një mundësi reale integrimi në shoqëri. Kjo është tepër e vlefshme vecanërishr për ata që e shkelin ligjin për herë të parë. Të dënuarit me burgim për herë të parë të shkeljes së ligjit kanë një shkallë shumë të lartë përsëritjeje, ndërsa vëzhgimet kanë nxjerrë se të dënuarit me masa alternative kanë një shkallë jashtëzakonisht më të ulët të recidivizmit” - tha ai.

OSBE, UNICEF dhe organizatat joqeveritare i bënë thirrje disa ditë më parë pushtetit gjyqësor që të përdorin sa më shumë dënimet alternative si një mënyrë e rehabilitimit të shpejtë të të dënuarve, vecanërisht për ata të mitur. Nga ana tjetër, ata i kërkuan qeverisë dhe parlamentit që të hartojnë ligje, ku dënime të tilla të parashikohen në më shumë nene e variante, si një mënyrë që ul kriminalitetin, mbipopullimin e burgjeve dhe koston e tyre të lartë. //bsa//

XS
SM
MD
LG