Lidhje

Deri kur forcat amerikane do të mbështesin ushtrinë irakiane?


Ligjvënësit amerikanë u kërkuan me këmbëngulje zyrtarëve ushtarakë që dëshmuan para një Komisioni të Kongresit që t’i përgjigjen pyetjes se edhe sa kohë do t’u duhet forcave amerikane të mbështesin ushtrinë irakiane.

Deklarata e kohëve të fundit e Ministrit irakian të Mbrojtjes, ku thuhej se forcat irakiane mund të jenë të afta për të marrë përgjegjësitë e sigurisë nga fillimi i vitit 2009 dhe ndoshta përgjegjësitë e plota në vitin 2012, ishte në qendër të seancës që u zhvillua në Kongres.

Në seancë, e cila u përqëndrua tek gjendja ushtarake në Irak dhe misioni i forcave amerikane atje, kryetari demokrat i Komisionit, Ike Skelton, bëri përsëri pyetjen e ngritur nga shumë të tjerë, se sa përparim kanë bërë forcat e sigurisë në Irak.

"Tani shtrohet pyetja se si do të mbahet gjallë ky përparim. Dhe zgjidhja pjesërisht do të varet tek krijimi i një force irakiane të efektshme dhe të pandikuar nga përçarjet sektare".

Gjeneral-lejtnant James Dubik, shef i komadës shumëkombëshe të sigurisë në Bagdad, i përshkroi forcat policore dhe ato ushtarake rë Irakut si të përkushtuara për të luftuar.

Gjenerali Dubik parashikon krijimin e një force irakiane prej 580 mijë vetësh deri në fund të vitit 2008, por ai nuk heziton të theksojë se ku vazhdon të çalojë përparimi, si të metat në udhëheqje dhe varësia e tek mbështetja logjistike amerikane.

"Fakti është që, tani për tani ato nuk janë të afta të veprojnë të vetme, thotë gjenerali".

Mark Kimmitt, Zëvendës ndihmëssekretar i Mbrojtjes për Çështjet e Lindjes së Mesme, theksoi se mbështetja afatgjatë amerikane për ushtrinë irakiane është e rëndësishme në kontekstin rajonal pasi përndryshe rrezikohet besueshmëria e Shteteve të Bashkuara.

“Aleatët dhe partnerët tanë në rajon kanë nevojë për ne, e duan praninë tonë atje, sepse ata përballen me kërcënime dhe sfida të tjera dhe në se ata nuk besojnë se mund të mbështeten tek Shtetet e Bashkuara për ta përfunduar punën që ne filluam në Irak, atëhere nuk do të jenë të sigurt nëse duhet t’i besojnë fjalët tona se ne do t’i mbështesim, kundër kërcënimeve emergjente dhe atyre që ekzistojnë në mbarë rajonin".

Zotit Kimmit dhe gjeneralit Dubik iu bënë pyetje të shumta, kryesisht nga anëtarët demokratë të komisionit, lidhur me Marrëveshjen e ardhëshme me qeverinë irakiane për Statusin e Forcave.

Ligjvënësi demokrat i shtetit Konektikat, Joe Courtney, tha se administrata e Presidentit Bush duhet ta përfshijë edhe Kongresin në hollësitë e negociatave.

Ndërsa zyrtari i administratës, Kimmit, tha se forcave luftarake amerikane ndoshta nuk do t’u duhet të qendrojnë fizikisht në Irak, por mund të përgjigjen për çdo gjë që mund të ndodhë, edhe në se vendosen jashtë vendit.

Megjithatë, Kimmit e shmangu një përgjigje “Po”, ose “Jo”, ndaj pyetjeve të ligjvënësit republikan të Merilendit, Roscoe Barlett dhe të Kryetarit të Komisionit Skelton, kur ata këmbëngulën lidhur me aftësitë ushtarake të irakianëve dhe rolin mbështetës amerikan.

"A nënkupton kjo për qytetarët tanë se ne do të duhet të kemi forca në Irak deri në momentin kur forcat e tyre të jenë gati për të përballuar sfidat e brendshme të sigurisë dhe, pra, siç latë ju të kuptohet, midis fundit të vitit 2009 dhe 2012-ës?"

"Zotëri, ajo që unë thashë bazohet tek fjalët e vetë ministrit Abdul-Qader, i cili vetë beson se në këtë periudhë kohe, forcat irakiane të sigurisë mund ta marrin përgjegjësinë për sigurinë e brendshme".

Në një tjetër seancë dëshmish në Nënkomisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, gjenerali në pension Jack Keane tha se çdo tërheqje e parakohëshme do t’i dëmtonte shanset për përparim politik në Irak.

"Tërheqja e menjëhershme në fakt ushqen frikën që ata kanë, se do të mbeten vetëm kundër ekstremistëve dhe i detyron të bëjnë të kundërtën e asaj që ne synonim. Në vend të përparimit në fushën politike, ata do të bënin hap prapa".

Gjenerali në pension Barry McCaffrey tha se gjendja ushtarake në Irak ka ndryshuar si nata me ditën; ushtria dhe policia irakiane kanë tani energji të reja, por ai shtoi se mes sfidave që mbeten, është mosfunskionimi siç duhet i qeverisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me forcat irakiane dhe rolin amerikan, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Tony Fratto tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të kenë një përkushtim dhe marrëdhënie afatgjatë me Irakun, duke shtuar se nevojat që do të lindin gjatë kësaj marrëdhënjeje, do të jenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme të Washingtonit me qeverinë irakiane.

XS
SM
MD
LG