Lidhje

Rezerva Federale e SHBA-së ul ndjeshëm interesat bankare

  • Majkëll Bauman

Dje, Banka Qëndrore amerikane u bëri një ulje të pazakontë interesave përballë rënies së madhe të tregjeve të aksioneve kudo në botë nga frika e një recesioni në Amerikë. Siç njofton korrespondenti ynë, Majkëll Boumën, administrata e Presidentit Bush përsëriti ndërkohë thirrjet për një program stimujsh që sipas saj do të nxiste ekonominë.

Ulja e djeshme e interesit ishte më e madhja që ka bërë ndonjëherë Banka Qendrore Amerikane, pas sulmeve terroriste të vitit 2001. Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ekonominë më të madhe në botë, po përballen me një ngadalësim të rritjes, papunësi më të lartë dhe me dobësim të tregut të pronave të patundëshme.

Zyrtarët e Bankës Qendrore amerikane vendosën ta ulin interesin bazë bankar me 0.75 përqind duke e çuar në 3.5 përqind. Ky është interesi që bankat i paguajnë njëra tjetrës në transaksionet gjatë natës. Në një deklaratë, Banka Qendrore tha se vendosi të vepronte kështu duke u nisur nga parashikimet që flasin për dobësim të ekonomisë dhe të rreziqeve në rritje me të cilat përballet ekonomia.

E hëna shënoi një rënie dramatike në tregjet financiare të Azisë, Europës dhe të hemisferës perëndimore, ndërkohë që tregjet amerikane ishin të mbyllura pasi ishte ditë pushimi. Edhe dje, shumë bursa të botës u hapën me rënie të mëdha para se Banka Qendrore amerikane të ulte përqindjet e interesit. Interesat e ulëta e bëjnë më të lehtë që bizneset dhe konsumatorët të marrin kredi për blerje dhe aktivitete të tjera ekonomike. Por eksperti David Weiss thotë se do të duhen disa muaj para se të shihet ndikimi i uljes së interesit.

“Njëri problem është se duhen nëntë muaj që të shihet ndikimi i një vendimi të bankës qëndrore por deri atëhere recesioni do të ketë marrë fund. Ulja e interesit do të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike por nuk mund të parandalojë recesionin.”

Ndërkohë në Washington vazhdojnë përpjekjet për hartimin e një pakete stimujsh ekonomikë. Sekretari i Thesarit Henri Polson po i kërkon Kongresit që të bashkëpunojë me administratën për hartimin e paketës e cila synon të nxisë shpenzimet konsumatore dhe investimet e bizneseve.

“Duhet bërë diçka tani, sepse ekzistojnë rreziqe afat shkurtëra dhe janë të qarta përfitimet e mundëshme nga një veprim i shpejtë për të ndihmuar ekonominë. Shpejtësia është me rëndësi vendimtare dhe presidenti është i gatshëm të bashkëpunojë në hartimin e një ligji për rritje ekonomike sa më shpejtë. Legjislacioni që do ti shërbejë më së miri ekonomisë tonë duhet të jetë i shpejtë, i fuqishëm, i gjithanshëm dhe i përkohëshëm,” tha Sekretari Polson.

Paketat stimuluese zakonisht përfshijnë shtimin e shpenzimeve qeveritare, shkurtimin e taksave ose të dyja. Ulja e ndjeshme e interesit dhe kërkesat për stimuj shihen gjerësisht si një shenjë se Uashingtoni po përgatitet për një periudhë të vështirë ekonomike. Sekretari i Thesarit theksoi se nuk ka arësye për panik.

“Unë vazhdoj të kem besim në fuqinë e ekonomisë globale. Ekonomia amerikane është rezistente, papunësia mbetet e ulët dhe vazhdon krijimi i vendeve të punës ndonëse me shpejtësi modeste. Struktura e ekonomisë amerikane është e fuqishme dhe bazat afatgjata të ekonomisë tonë janë të shendosha,” tha sekretari Polson.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë motori kryesor për rritjen e ekonomike globale, e megjithatë, disa ekespertë thonë se rritja ekonomike në Kinë, Indi dhe disa vende të tjera po e pakëson shkallën e varësisë së botës te ekonomia amerikane. Por ulje-ngritjet drastike që po shihen në tregjet botërore po e venë në pikëpyetje këtë teori, thotë Crysta Freeland, redaktore e gazetës prestigjoze Financial Times.

“Shpresat se disa vende të tjera të botës janë tashmë aq të fuqishme sa mund ta nxjerrin nga kriza ekonominë globale edhe kur ekonomia amerikane ngadalësohet, nuk po vërtetohen. Më parë thuhej se kur Amerika tështin bota ftohet dhe kjo duket të jetë e vërtetë edhe sot.”

Ulja e përqindjes së interesit nuk i pengoi tregjet amerikane që të binin edhe dje por gjatë ditës rënia u zbut. Edhe çmimi i naftës pësoi ulje.

XS
SM
MD
LG