Lidhje

Në Rusi fillojnë hetimet ndaj kandidatit presidencial Kasianov


Prokurorët rusë kanë filluar hetime për falsifikime kundër kandidatit të opozitës në zgjedhjet presidenciale Mikhail Kasianov.

Një zëdhënëse për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm tha se hetimi synon të verifikojë mbi 12 mijë firma. Dy milionë firma kërkohen për të përmbushur kushtet e regjistrimit të kandidaturës.

Në komentet e transmetuara nga televizioni, zëdhënësja tha se firmat që dyshohet si të falsifikuara janë zbuluar në të paktën 2 rajone.

Zoti Kasianov tha në një konferencë për shtyp në Moskë se autoritetet e Kremlinit janë angazhuar në një fushatë frikësimesh për të mos lejuar që opozita të ketë qasje në media. Ai tha se kjo qasje do t’i jepte publikut informacion alternativ lidhur me zhvillimet në Rusi dhe jashtë saj.

Përkrahësit e ish-kryeministrit akuzuan policinë për frikësime, gjatë hetimeve për verifikimin e firmave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë mbi këtë çështje deri të shtunën. Nëse arrin në përfundimin se mbi 5 për qind e firmave janë të falsifikuara, nuk do të pranojë të regjistrojë kandidaturën e zotit Kasianov. (ze)

XS
SM
MD
LG