Lidhje

SHBA: Fushata presidenciale hyn në një fazë kritike

  • Jim Fry
  • Uashington

Ndërsa kandidatët presidencialë të të dy partive politike këtu në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë fushatën e tyre në dy javët e ardhshme shumë të rëndësishme, ekspertët thonë se nuk është e qartë se cili kandidat do të fitojë emërimin e secilës parti për në zgjedhjet e nëntorit. Zgjedhjet e ardhshme paraprake në Florida janë të rëndësishme për republikanët, ndërkohë që zgjedhjet paraprake të partisë demokratike në Karolinën e Jugut shikohen si shumë të rëndësishme për fitoren e senatorit Barak Obama. Kandidatët kryesorë të secilës parti për në zgjedhjet e nëntorit zgjidhen nga votuesit shtet pas shteti në zgjedhjet paraprake.

Fitorja e senatorit Xhon Mekejn të shtunën në Karolinën e Jugut e vë atë në pozitë të fortë tani që zgjedhjet paraprake do të zhvillohen në shumë shtete të tjera. Këtë fitore zoti Mekejn e shënoi në një shtet të mbizotëruar nga konservatorë fetarë.

“Nuk do t’u lë të zhgënjyer, Zoti më ndihmoftë”.

Ish guvernatori i shtetit Arkansa dhe prifti baptist nga jugu, Majk Hakëbi, zuri vendin e tretë, duke shënuar kështu humbjen e tretë me radhë që pas fitores në shtetin Ajova në fillim të këtij muaji.

Ish guvernatori i Massachusetts Mit Romni e hodhi vështrimin nga e ardhmja, pasi fitoi zgjedhjet paraprake në Nevada.

Republikanët në Florida do të votojnë të martën e ardhshme. Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, i cili fillimisht shikohej si kandidati kryesor republikan, ka humbur shumë mbështetje, pasi e ka përqëndruar fushatën e tij në zgjedhjet paraprake në Florida.

Florida do t’i sigurojë fituesit numrin më të madh të delegatëve në kuvendin kombëtar të partisë deri më tani.

Të shtunën në Karolinën e Jugut, votuesit e pavarur morën pjesë në zgjedhje bashkë me votuesit partiakë, ashtu siç ndodhi në shtetet Nju Hempshër dhe Ajova. Por në Florida dhe në shumë prej 22 shteteve të tjerë, që do të zhvillojnë zgjedhje paraprake në dy javët e ardhshme, vetëm votuesit e rregjistruar partiakë, si republikanë edhe demokratë, do të lejohen të votojnë. Ja si shprehet strategu republikan, Majkëll Doud.

“Mendoj se, ndërsa i afrohemi 5 shkurtit, Florida jep me të vërtetë sinjalin e parë se çfarë drejtimi do të marrë fushata”.

Kandidatët kryesorë të partisë demokrate po përpiqen këtë javë të tërheqin votues afrikano-amerikanë. Senatori Barak Obama mori dje pjesë në një aktivitet me rastin e ditës së Martin Luter Kingut në Karolinën e Jugut. Rreth gjysma e votuesve demokratë në zgjedhjet paraprake të së shtunës në këtë shtet janë zezakë.

Prifti nga Karolina e Jugut, Çarls Xhekson thotë se zezakët mund të mbështesin në masë senatorin Obama.

“Dhe kjo varet nga shanset për sukses të senatorit Obama. Fitorja e tij në Ajova bëri që votuesit t’i shikonin me më shumë entuziazëm dhe realizëm mundësitë e tij për të fituar”.

Senatorja Hillëri Klinton foli dje në një miting në Karolinën e Jugut, pasi fitoi të shtunën zgjedhjet paraprake në Nevada. Ajo kujtoi vizitën e saj në fëmijëri për të dëgjuar Martin Luter Kingun që fliste në kishën e tij. Profesori i studimeve qeveritare, Majkëll Fontroi, po ndjek nga afër ndikim e racës në garën presidenciale.

“Njerëzit nuk po përqëndrohen vetëm tek raca. Ata krahasojnë kandidatët për të parë se cili prej tyre mund të përmirësojë më shumë gjendjen e vendit”.

Analistët politikë thonë se mund të duhen disa javë para se kandidatët të kenë marrë numrin e mjaftueshëm të votave që do t’u siguronte emërimin nga partia si kandidat për në zgjedhjet e nëntorit për në Shtëpinë e Bardhë. (ze)

XS
SM
MD
LG