Lidhje

Asambleja e Këshillit të Europës kërkon kompromis për Kosovën


Një grup deputetësh nga vende të ndryshme të Europës shprehën mbështetje për një zgjidhje me kompromis të statusit të Kosovës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi dje një rezolutë ku thuhet se arritja e një zgjidhjeje të pranueshme si për Prishtinën edhe për Beogradin është me rëndësi thelbësore për garantimin e paqes dhe të qendrueshmërisë afatgjatë në Europë.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës thonë se do ta shpallin pavarësinë nga Serbia brenda pak javësh. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane e mbështesin pavarësinë nën mbikqyrjen ndërkombëtare. Por Serbia, me përkrahjen e Rusisë, thonë se shkëputja e një pjese të territorit të saj do të ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës rekomandoi vazhdimin e bisedimeve deri sa të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, për të mos lejuar që Kosova të shndërrohet në një “fuçi baruti” ose “konflikt të ngrirë."

Në rezolutë thuhet gjithashtu se mes skenarëve të mundshëm “nuk përjashtohet” që Parlamenti i Kosovës të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Në këtë rast, thotë rezoluta, Bashkimi Europian duhet të përpiqet të arrijë një qendrim të unifikuar ndaj një deklarate të tillë.

Asambleja përbëhet nga deputetë parlamentesh të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Rekomandimet e saj shërbejnë si udhëzime për parlamentet dhe partitë politike të vendeve të ndryshme.

Rezoluta bën thirrje për mbrojtjen e pakicave etnike jo-shqiptare të Kosovës, duke përfshirë serbët dhe romët. Rezoluta thekson mes të tjerash rëndësinë e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. //ii

XS
SM
MD
LG