Lidhje

SHBA: Kandidatët demokratë, vemendja në Karolinën e Jugut


Në garën presidenciale amerikane, kandidatët demokratë janë përqendruar tani në shtetin e Karolinës së Jugut, i cili zhvillon zgjedhjet paraprake të shtunën. Kandidatët republikanë po përgatiten për betejën e tyre në Florida, ku zgjedhjet paraprake mbahen me 29 janar.

Senatorët Hillari Klinton dhe Barak Obama po tregohen gjithnjë e më të ashpër ndaj njëri tjetrit në betejën për emërimin presidencial nga partia demokrate.

Debati i fundit në Karolinën e Jugut ishte më i ashpri mes dy kandidatëve kryesorë demokratë, ku merrnin pjesë senatorja Klinton, senatori Obama dhe ish senatori Eduards. “Në këtë debat marrin pjesë tre veta dhe jo dy. Kjo zënkë nuk i sjell shërbime shëndetësore fëmijëve,” tha zoti Eduards.

Senatori Obama shpreson të përfitojë nga mbështetja e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet paraprake të së shtunës në Karolinën e Jugut në mënyrë që ta marrë veten pas fitoreve të senatores Klinton në Nevada dhe Nju Hempshir.

Obama po i kundërpërgjigjet si zonjës Klinton ashtu edhe Bill Klintonit të cilët e kanë vënë në pikëpyetje kundërshtimin e tij ndaj luftës në Irak. “Kur presidenti Klinton thotë se unë nuk kam qenë kundër luftës që nga fillimi, kjo nuk është fare e vërtetë,” tha senatori Obama.

Hilari Klinton po përpiqet të qendrojë në krye edhe në Karolinën e Jugut, por ndërkohë po punon për garën e 5 shkurtit ku zgjedhjet paraprake presidenciale do të zhvillohen në më shumë se 20 shtete.

Zonja Klinton pretendon se senatori Obama e ka zakon të shmangë çështjet e vështira, duke u mbështetur tek përvoja e tij si senator i shtetit Illioni. “Ёshtë e vështirë të debatosh drejtpërdrejt me ju, zoti Obama, sepse ju nuk e merrni asnjëherë përgjegjësinë për ndonjë votë, dhe kjo është e zakonshme,” tha zonja Klinton.

Në garën republikane presidenciale, zgjedhjet paraprake me 29 janar në Florida shihen si një test i rëndësishëm.

Senatori Xhon Mekejn është ndër të parët tani pas fitores në Karolinën e Jugut, por përballet me një sfidë të fuqishme nga ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani, i cili ka vendosur të zhvillojë një fushatë gjithpërfshirëse në Florida.

Zoti Xhuliani vë në pikëpyetje përkushtimin e zotit Mekejn ndaj parimeve konservatore si ulja e taksave. “Xhon Mekejn iu bashkua demokratëve dhe votoi kundër uljes së taksave nga presidenti Bush,” tha zoti Xhuliani.

Zoti Xhuliani ishte në krye të garës republikane në anketat kombëtare gjatë pjesës më të madhe të vitit të kaluar. Por ai nuk konkuroi seriozisht në zgjedhjet e paraprake fillestare që u zhvilluan këtë vit, duke menduar se do ta rifillonte fushatën e tij në Florida.

Por fitoret e fundit të zotit Mekejn në Karolinën e Jugut dhe Nju Hempshir e kanë ndihmuar atë në anketat kombëtare edhe në shtete të tilla si Nju Jorku ku Xhuliani mendohej se nuk mund të mposhtej deri para pak muajsh. “Tani jemi 10 apo 15 pikë përpara edhe në shtetin e tij me sa di unë,” tha zoti Mekejn.

Ish guvernatorët Mit Romney i shtetit Masaçusets dhe Majk Hakëbi i shtetit Arkansa janë gjithashtu të mbërthyer në një garë të fortë në Florida.

Republikanët gjithashtu i kanë varur shpresat tek zgjedhjet paraprake të 5 shkurtit, pavarësisht se mbetet ende e paqartë nëse ndonjëri nga kandidatët ka përparësi të qartë para të ashtuquajturave garat e super të martës. //ii

XS
SM
MD
LG