Lidhje

Thaçi në Bruksel: Pavarësia e Kosovës do të vijë shumë shpejt


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet në Bruksel për bisedime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATOs. Ndërkohë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë pritet ta shpallin pavarësinë në shkurt ose në mars në bashkërendim me Uashingtonin dhe Brukselin. Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës si dhe misionin e propozuar të Bashkimit Evropian atje. Po sot, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se Pavarësia e Kosovës do të jetë e koordinuar, si kusht qenësor për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe kjo do ta bëjë Serbinë të shkëputet sa më shpejt nga e kaluara e saj kolonialiste.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha dje se pavarësia e Kosovës do të vijë shumë shpejt. Ai foli në Bruksel në prak të fillimit të bisedimeve dy-ditore me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në lidhje me planet për ta shpallur Kosovën të pavarur.

“Kosova është gati, e bashkuar dhe e përgatitur për statusin. Ne do ta shpallim pavarësinë sa më shpejt që të jetë e mundur. Çdo gjë do ta bëjmë në bashkëpunim dhe në bashkërendim me partnerët tanë në Uashington dhe Bruksel dhe mendoj se ky vendim është i domosdoshëm”.

Kryeministri Thaçi nuk dha ndonjë datë të saktë për pavarësinë. “Ne do ta shpallim shumë shpejt datën, por këtë do ta bëjmë në Prishtinë dhe jo në Bruksel.”

Në Bruksel, kryeministri Thaçi zhvillon takime me komisionerin për zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, me shefin e politikës së jashtme Havier Solana, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, dhe me diplomatin holandez Peter Feith i cili është zgjedhur për të kryesuar misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Udhëheqësit shqiptarë në Kosovë pritet ta shpallin pavarësinë në shkurt ose në mars. Serbia e kundërshton me forcë pavarësinë e Kosovës, dhe kjo çështje ka shkaktuar fërkime mes perëndimit dhe aleates së Serbisë, Rusisë, e cila ka të drejtën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pavarësia e Kosovës përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Britaninë dhe Francën. Megjithatë, disa vende të BE-së kanë ngritur shqetësime rreth njohjes së Kosovës jashtë kornizave të OKB-së.

BE-ja ka propozuar dërgimin e një misioni policor prej 1,800 vetash për të zëvendësuar administratën e OKB-së që ka drejtuar Kosovën që nga viti 1999, megjithatë vendimi përfundimtar nuk ka të ngjarë të vijë para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së me 18 shkurt. Beogradi është kundër një misioni të BE-së nga frika se ky mund të jetë preludi i pavarësisë së Kosovës.

Duke folur sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se nuk do të ketë shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

“Pavarësia do të jetë e koordinuar, si kusht qenësor për paqen dhe stabilitetin atje. Unë jam i bindur se ata që kanë frikë nga reagimet e Serbisë apo sjelljen e saj, do ta kuptojnë se kjo do të jetë ndihma më e mirë edhe për Serbinë, sepse do ta bëjë atë të shkëputet sa më shpejt nga e kaluara e saj kolonialiste”.

Dje, sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs tha se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe se shtyerja e rezolutave nuk i lehtëson vendimet e vështira. //bsa//

XS
SM
MD
LG