Lidhje

Jehona e masave ekonomike të Uashingtonit ndjehet në tregjet financiare botërore


Çmimet e aksioneve në bursat e vendeve aziatike shënuan sot një rritje të madhe, duke reaguar pozitivisht ndaj uljes së ndjeshme të shkallës së interesave dje nga Banka Qendrore amerikane. Ndërsa në bursat evropiane çmimet e aksioneve ranë sot ndjeshëm, mbi 4 përqind në Paris dhe Frankfurt. Banka qendrore amerikane e uli dje normën e interesit me zero presje 75 përqind, një lëvizje kjo agresive që synon të nxisë ekonominë amerikane në vështirësi. Shumë analistë presin ulje të mëtejshme të shkallës së interesit në Amerikë. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se gjatë këtij viti ekonomia globale mund të shënojë ulje.

Tregjet e aksioneve në Wall Street edhe sot vazhduan të bien, megjithë uljen e interesave. .... Por paqëndrueshmëria financiare dërgoi një sinjal urgjence për takimin e planifikuar mes Presidentit dhe udhëheqësve të Kongresit. Presidenti Bush tha se ka besim se të dyja partitë politike do të arrijnë një marrëveshje për planin stimulues ekonomik prej 145 miliardë dollarësh, por kërkoi në të njëjtën kohë durim.

"Ne jemi të vendosur dhe kërkojnë të bëhet diçka, por po ashtu duam të jemi realistë se sa shpejtë mund të ndodhin ndryshimet. Investitorët e panë uljen e interesit të martën, si pjesë të planit të përgjithshëm ekonomik të presidentit por disa analistë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për më shumë sesa një ulje të interesave për të shmangur një ngadalësim ekonomik." - tha Presidenti.

Alek Jang është analist për firmën "Standard & Poor’s". Ja si shprehet ai:

"Për ta ndaluar këtë rreth vicioz kemi nevojë për më shumë sesa ulje interesash që do të ndikojnë pas gjashtë muajsh apo një viti. Kemi nevojë për të dhëna ekonomike sot, që të tregojnë se ekonomia po stabilizohet."- thotë ai.

Tregjet e aksioneve në mbarë botën kanë rënë ndjeshëm ditët e fundit, nga shqetësimet se një rënie e ekonomisë amerikane mund të dëmtojë ekonomitë në vendet që tregëtojnë me Shtetet e Bashkuara. Ministri i Financave i Japonisë tha se nuk ka ende arsye për t’u dëshpëruar, por analisti nga Hong Kongu Yuan-Chung-Li fajëson presidentin Bush që nuk veproi më shpejt.

"Arsyeja kryesore është se propozimi i presidentit Bush për të rigjallëruar ekonominë erdhi pak me vonesë. Këshilltari i presidentit për planin ekonomik nuk është aspak dakort me këtë",- tha ai.

Sekretari i Thesarit Henri Paulson tha dje në Dhomën e Tregëtisë, se ulja e interesave nga banka qëndrore synon të rrisë besimin.

"Kjo lëvizje i tregon vendit dhe pjesës tjetër të botës se banka qëndrore është e mprehtë dhe e aftë të lëvizë me shpejtësi për t’ju përgjigjur kushteve të tregut.", - tha ai.

Kandidatja demokrate për presidente Hillari Klinton shpejtoi të shtonte zërin e saj. Ajo i bëri thirrje presidentit të bëjë më shumë për të ndihmuar familjet e rënduara nga kriza financiare.

“Është e domosdoshme, që presidenti dhe ekipi i tij ekonomik të vendosin besimin në aftësinë e qeverisë për të përballuar atë që tani është qartësisht një krizë globale që mund të na çojë në një ngadalësim të thellë dhe të gjatë ekonomik. Duhet të bëjmë ç’është e mundur për ta mënjanuar këtë”, - tha zonja Klinton.

Analistët presin që Rezervat Federale të ulin normat e interesit me zero presje 25 përqind në takimin e radhës javën e ardhëshme. Kjo do ta çonte normën e interesit të huave që banka qëndore u jep bankave të tjera në 3 presje 25 përqind.//lk

XS
SM
MD
LG