Lidhje

SHBA: Statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt


Zëvendës ndihmës sekretarja amerikane e shtetit , Rosemary Di Carlo, tha sot në Prishtinë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë që është e mundur dhe në atë mënyrë që të nxisë qëndrueshmëri në rajon. Ajo i bëri këto komente në kuadër të vizitës së saj dyditëshe në Prishtinë ku po takohet me udhëheqësit më të lartë vendas e ndërkombëtarë.

Zonja Di Carlo pas takimit me presidentin e vendit Fatmir Sejdiu u shpreh e kënaqur që siç tha udhëheqësit politikë të Kosovës kanë përsëritur përkushtimin e tyre ndaj propozimit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Dua ta bëjë të qartë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Ne kemi thënë vazhdimisht që nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet dy palëve atëherë plani i zotit Ahtisaarit është rruga më e mire përpara dhe statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur. Sekretarja Rice e ka bërë të qartë në Berlin në fillim të kësaj jave se ajo vazhdon të diskutojë këtë çështje me aleatët evropianë dhe ne besojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet në atë mënyrë që nxitë qëndrueshmëri afatgjate në rajon".

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ripërsëriti vlerësimin e lartë për Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen e Washingtonit për pavarësinë e Kosovës duke theksuar se Prishtina do t'u përmbahet zotimeve për ndërtimin e një shteti për të gjithë qytetarët.

Ne i mbesim besnikë asaj që i kemi thënë edhe për projektin Ahtisaari edhe për të gjitha qasjet tona që kanë të bëjnë me komunitete në Kosovë, Kosova do të jetë shtet demokratik i ët gjithë qytetarëve, që do të gravitojë shumë shpjet ne integrimet euroatlantike, një vizo i yni i qartë për zhvillimet e mëtejme dhe një Kosovë që do të jetë faktor i rëndësishëm i prodhimit të stabiliteti bashkë me vendet tjera të rajonit".

Prishtina ka paralajmëruar se është çështje ditësh kur do të merret vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por kjo do të ndodhë në bashkërendim në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Muaji shkurt cilësohet si periudhë e këtij vendimi i cili kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska zyrtare, që kërkojnë vazhdim negociatash, megjithëse mese dy vjet bisedime dështuan të afrojnë qëndrimet tërësisht të kundërta të të dyja palëve. //iç//

XS
SM
MD
LG