Lidhje

Presidenti Topi në Prishtinë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, tha sot në Prishtinë se shteti shqiptar do të jetë ndër të parët që do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Topi, i cili po viziton Kosovën në një periudhë vendimtare për statusin politik të saj, u tha deputetëve të Parlamentit në një mbledhje solemne për nderë të tij, se zhvillimi me qetësi dhe maturi i proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova ka dëshmuar se ajo ka mundësitë e duhura shtet formuese. Ai tha se Kosova është e gatshme të ndërmarrë hapin e nevojshëm dhe vendimtar për shpalljen e pavarësisë së saj. “Të nderuar deputet! Më lejoni t'ju siguroj edhe një herë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për proceset të cilat kanë marrë udhë në Kosovë me qëllim ndërtimin e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik dhe multi-etnik që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Një shteti të ri të orientuar drejt integrimit rajonal dhe euro-atlantik”, tha presidenti i Shqipërisë para deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Presidenti Topi shprehu mbështetjen e tij të plotë për propozimin e presidentit Maarrti Ahtisaari, parimet themelore të të cilit tha ai garantojnë plotësisht dhe në mënyrë të pa shembullt të drejtat e komuniteteve pakicë.

Presidenti Topi, i cili po takohet me udhëheqësit më të lartë vendas e ndërkombëtarë, i ripërsëriti sot homologut të tij Fatmir Sejdiu, mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën në synimin drejtë pavarësisë së saj. Sipas tij, realizimi i këtij synimi është çështje ditësh, apo edhe orësh, gjë të cilën e përsëriti edhe presidenti, Fatmir Sejdiu. “Shqipëria dhe institucionet e sa, intelektualët dhe i gjithë populli shqiptare kanë qenë dhe janë me zemër një mbështetje e rëndësishme, shpirtërore e pastaj institucionale që Kosova të arrije në atë ditë e cila sot konsiderohet çështje ditësh a po edhe orësh ... ”, tha presidenti i Shqipërisë. Presidenti i Kosovës, Fathmir Sejdiu, tha ndërkaq se “shumë shpejt do të jetë momenti i marrjes së vendimit në Parlament. Besojmë se është çështje ditësh apo edhe çështje orësh”. Të dy presidentët kanë mohuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, duke shtuar se synim i të dyja vendeve është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Presidenti Topi në orët e pasdites është ndeuar me titullin ‘Honoris Causa’ nga Universiteti i Prishtinës, një titull ky që u është dhënë disa prej personaliteteve të larta botërore.

Gjatë vizitës së tij që po i bënë Kosovës, presidenti Topi i shoqëruar nga një delegacion 100 anëtarësh, pritet të takojë udhëheqësit e të gjitha partive politike të të gjitha komuniteteve, ndërsa dy qytete, Prishtina dhe Peja do ta shpallin atë qytetar nderi të tyre. Vizita e presidentit Topi në Kosovë po përcillet me interesim të madh për shkak të periudhës në të cilën ndodhet vendi, por edhe rolit të Tiranës zyrtare në procesin politikë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG