Lidhje

Bashkimi Evropian vëzhgon lëvizjet e Kosovës drejt pavarësisë


Shpërbërja e ish Jugosllavisë u karakterizua nga një dekadë luftërash, vuajtjesh dhe konfliktesh etnike dhe e tërë kjo ndodhi në periferitë e Evropës moderne. Tani, shpërbërja është në hapin e saj të fundit me deklaratat e Prishtinës se do të shpallë pavarësinë nga Serbia. Si shpesh në të kaluarën këto deklarata kanë krijuar të çara në komunitetin ndërkombëtar duke vënë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve europianoperëndimore në një anë dhe Rusinë me Serbinë në anën tjetër. Ndërkohë Evropa po përpiqet të ruajë unitetin e vet të brendshëm.

Kosova, e ashtuquajtur djepi historik i Serbisë po përgatitet të shkëputet pa miratimin e Beogradit. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shumica e vendeve europiane e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe shumë shpejt pritet të ndërmerret hapi për shpalljen dhe njohjen e menjëhershme të saj.

Kryeministri Hashim Thaçi u takua së fundi në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s për të koordinuar një afat kohor për shpalljen e pavarsisë. Pas takimeve ai u tha gazetarëve se pavarësia është çështje ditësh. Disa vende evropiane e shohin shkëputjen e Kosovës si precedent të rrëzikshëm por shumica e anëtarëve të BE-së nuk mendojnë kështu.

Joos Lagendijk, anëtar i parlamentit evropian që merret me Kosovën thotë se Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë i bashkuar rreth kësaj çështjeje. ”Të gjithë e kanë të qartë se kjo është një çështje evropiane dhe që duhet të zgjidhet nga Bashkimi Evropian. Europa e ka atë te pragu i derës dhe, si Kosova ashtu edhe Serbia do të jenë në të ardhmen anëtare të Bashkimit Evropian. Pra kjo është një çështje që na përket neve në Bashkimin Evropian dhe ne duhet të merremi me të.”

Bashkimi Evropian po planifikon të dërgojë një mision prej 1800 vetësh në Kosovë për të ndihmuar në periudhën e tranzicionit. Në mungesë të një përfaqësimi në arenën ndërkombëtare, Kosova po ndihmohet nga një grup jofitimprurës i quajtur International Diplomat dhe që udhëhiqet nga Nicholas Whyte. Zoti Whyte thotë se ngurrimi i disa vendeve për ta njohur pavarësinë e Kosovës nuk do të thotë se Bashkimi Evropian i ka duart e lidhura. ”Më bën përshtypje fakti që askush nuk po thotë se do të pengojnë një mision evropian në Kosovë, askush nuk po thotë se do të pengojë Bashkimin Evropian të veprojë në Kosovë siç është planifikuar.”

Por Serbia e përkrahur nga Rusia ka sfiduar mandatin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe çdo mision paqeruajtës që vepron jashtë kuadrit të Kombeve të Bashkuara. Roksanda Ninçiç është ambasadore e Serbisë pranë Bashkimit Evropian. ”Ne mendojmë se mënyra e vetme e zëvëndësimit të një misioni nga një mision tjetër është përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit.” Në disa qarqe në Evropë ekziston frika e një ringjalljeje të nacionalizmit serb, nëntë vjet pasi forcat e NATO-s dëbuan trupat serbe nga Kosova dhe atje u vendos një mision i Kombeve të Bashkuara. Vendet e Bashkimit Evropian janë duke vëzhguar me kujdes zhvillimet për të shmangur një konflikt të mundshëm rajonal dhe për ta mbajtur Serbinë në rrugën drejt anëtarsimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian.//rd//

XS
SM
MD
LG