Lidhje

Socialistët në Shqipëri - Konsultim me qytetarët për programin e ri


Opozita socialiste filloi në Tiranë një konsultim të gjerë me opinionin publik dhe shoqërinë civile për të hartuar programin e vet politik. Partia Socialiste u bëri thirrje specialistëve të fushave të ndryshme dhe opinionit të gjerë qytetar që të bashkëpunojnë në hartimin e programit të ri politik dhe ekonomik të të majtëve.

Gjatë një takimi të organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi qytetarët dhe specialistët që të japin ndihmesën e tyre në formulimin e një platforme të re qeverisjeje, sa më pranë nevojave të njerëzve.

Zoti Rama shprehu shqetësimin se partitë politike gjatë tranzicionit janë marrë vetëm me fushatat zgjedhore dhe janë larguar mjaft nga përfaqësimi i qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve të tyre. Ai tha se partitë politike nuk plotësojnë kërkesën e etshme të qytetarëve për të forcuar një shtet demokratik, të drejtë dhe bashkëpunues me ta.

“Programi për të cilin ka nevojë Shqipëria është një program operacionesh modernizuese, të cilat në thelbin e tyre nuk janë të majta apo të djathta në kuptimin dogmatik, por janë të domosdoshme për të krijuar një shtet, i cili të funksionojë si një makinë në shërbim të qytetarëve në të gjithë territorin” - tha ai.

Zoti Rama tha se mirëpret ndihmesën dhe idetë e kujtdo qytetari që propozon me pikëpamjet e veta përmirësimin e qeverisjes dhe jetës ekonomike të vendit në tërësi. Ai tha se midis forcave politike dhe qytetarëve është hapur një hendek i thellë, midis tyre nuk ka partneritet; zyrtarët abuzojnë me pushtetin dhe nuk dëgjojnë kërkesat e njerëzve.

“Tani është fjala për një program që mungon prej 17 vjetësh, sepse partitë politike kanë përgatitur në këto 17 vjet broshura elektorale me premtime për të fituar zgjedhjet, por nuk kanë përgatitur instrumenta për të qeverisur. Askush nuk ka menduar se cfarë do të punojë të nesërmen e fitores, por menjëherë fituesi bie pre e improvizimeve” – tha ai.

Opozita socialiste ka kritikuar maxhorancën e djathtë për keq-qeverisje, abuzime administrative dhe mungesë vëmendjeje ndaj nevojave të ngutshme të popullatës në qytet e në fshat, një këmbim periodik pozicionesh ky në cdo ndërrim pushteti mes forcave kryesore politike në Shqipëri. //bsa//

XS
SM
MD
LG