Lidhje

SHBA: Kanditatët zgjerojnë fushatën e tyre në 22 shtete për të "Martën e Madhe"


Këtu në Shtetet e Bashkuara, kandidatët presidencialë të partisë demokrate e zgjeruan fushatën e tyre në 22 shtete ku do të votohet më 5 shkurt në ditën e njohur si “super e marta”.

Senatori Barack Obama ndodhet në Georgia pas fitores së djeshme ndaj senatores Hillary Clinton në Karolinën e Jugut. Senatorja Klinton po bën fushatë në Tennessee. Ajo tha sot në një intervistë televizive me rrjetin amerikan CBS se bashkëshorti i saj, ish presidenti Bill Klinton mund ta ketë tepruar pal me kritikat ndaj senatorit Obama gjatë fushatës.

Ndërkohë, kandidatët republikanë po bëjnë fushatë në Florida para votimeve paraprake në këtë shtet të martën. Votimi në Florida konsiderohet vendimtar për republikanët pasi fituesi do të marrë votat e 57 delegatëve nga ky shtet për në kuvendin kombëtar që zgjedh kandidatin e partisë.

Barack Obama fitoi zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut

Në një nga garat më të rëndësishme për kandidatët demokratë presidencialë, Senatori Barack Obama fitoi zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut, me një diferencë të madhe nga senatorja Hillary Clinton.

Zoti Obama mori 55 për qind të votave, ndërsa zonja Clinton 27 për qind dhe ish-senatori John Edwards doli i treti me 18 për qind.

Në fjalimin e tij të fitores, zoti Obama e vuri theksin tek mesazhi i tij për ndryshim, duke e karakterizuar garën e demokratëve si një zgjedhje mes “të kaluarës dhe së ardhmes”. Ai u përpoq të afronte edhe votues republikanë, duke thënë se ndryshimi që ai kërkon i kapërcen linjat e partive politike.

Ai tha para mbështetësve të tij afrikano-amerikanë, aziatikë dhe latinë, se baza e tij e përkrahjes është e gjerë dhe vazhdon të rritet.

Intervistat me votuesit që dilnin nga qendrat e votimit tregonin se zoti Obama fitoi zgjedhjet në Karolinën e Jugut me një mbështetje masive nga afrikano-amerikanët dhe rreth një të katërtën e votave nga të bardhët.

Kjo ishte një fitore e shumëpritur për kandidatin afrikano-amerikan dhe rezultatet e anketave tregojnë se ai kishte një mbështetje dërrmuese nga votuesit zezakë, por zoti Obama thotë se kërkon mbështetjen e të gjithë votuesve, jo vetëm të atyre me të njëjtën prejardhje.

Duke dalë para mbështetësve të tij në një hotel në Columbia, senatori Obama tha se në fushatën e tij do të vazhdonte të përpiqej të siguronte votat e amerikanëve nga të gjitha racat, grupet etnike dhe fetare. Ai tha se fitorja në Karolinën e Jugut, së bashku me fitoren e tij në Iowa dhe rezultatet në New Hampshire dhe Nevada e kishin futur fushatën e tij në një rrugë të sigurt drejt emërimit.

“Pas katër garash të forta në çdo skaj të vendit, ne kemi numrin më të madh të votave, delegatët më të shumtë dhe koalicionin më të larmishëm të amerikanëve që kemi parë prej një kohe shumë të gjatë”.

Anketat tregojnë se Obama kishte siguruar një mbështetje dërrmuese mes afrikano-amerikanëve, ashttu siç edhe pritej, por ai fitoi gjithashtu edhe një përqindje shumë më të lartë mes votuesve të bardhë nga ç’kishin parashikuar sondazhet. Raca u kthye në një faktor në garën e Karolinës së Jugut, pasi Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton ndërmorën disa sulme ndaj senatorit Obama, që i indinjuan disa afrikano-amerikanë. Një demokrat afrikano-amerikan me peshë në Karolinën e Jugut, madje i tha ish-presidentit publikisht se duhet ta zbuste tonin e retorikave të tij.

Disa përkrahës të senator Obamës ishin të shqetësuar se nëse fitorja e Karolinës së Jugut do të mbështetej pothuajse plotësisht tek votat e afrikano-amerikanëve, do të dobësohehsin shanset e kandidatit të tyre për të përparuar në shtete të tjera ku të bardhët, latinët dhe të tjerët mund ta shihnin si kandidat zezak dhe jo një kandidat që del mbi racat, imazhi me të cilin ai kishte filluar, duke fituar konferencat në Iowa, një shtet me popullsi mbi 90 për qind të bardhë.

Në fjalimin e tij të fitores në Karolinën e Jugut, Senatori Obama u distancua nga ajo që ai e quajti idenë e krijuar se popullsia në Shtetet e Bashkuara është e ndarë në kategori të ngurta dhe se ato nuk mund të bashkohen.

“Është ideja e përhapur se të pasurit nuk duan t’ia dinë për të varfrit dhe se të varfrit nuk votojnë, se afrikano-amerikanët nuk mbështesin një kandidat të bardhë dhe të bardhët nuk mbështesin kandidatin afrikano-amerikan, se zezakët dhe latinët nuk bashkohen. Sot ne themi këtu se kjo nuk është Amerika tek e cila ne kemi besim”.

Senatorja Clinton u largua nga Karolina e Jugut pasi numërimi fillestar i votave la të kuptohej se zoti Obama kishte fituar. Duke folur para përkrahësve të saj në Nashville të Tennesisë, ajo bëri vetëm një koment të shkurtër për fitoren e rivalit të saj.

“Dua të uroj sot Senatorin Obama, si edhe popullin e Karolinës së Jugut që na ftuan në shtëpitë dhe komunitetet e tyre. Jam shumë e gëzuar tani që vendi e kthen vëmendjen në Tenesi dhe shtete të tjera që do të hedhin votën më 5 shkurt”.

22 shtete mbajnë gara presidenciale brenda partive më 5 shkurt, në një ditë që është cilësuar e marta e madhe. Zonja Clinton ka grupe të fuqishme që e mbështesin në shumë shtete të mëdha, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, por fitorja e Senatorit Obama në Karolinën e Jugut mund ta forcojë pozicionin e tij në disa nga shtetet dhe t’i japë një shtysë fushatës së tij.//kk//

XS
SM
MD
LG