Lidhje

Gjeorgji: Sfidat përballë presidentit të rizgjedhur Mihail Sakashvili


Ditët e fundit, Mihail Sakashvili bëri betimin si Presidenti i Gjeorgjisë për një mandat të dytë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim gjendjes së politikës në Gjeorgji dhe disa sfidave me të cilat ndeshet administrata e dytë e zotit Sakashvili.

Mihail Sakashvili u zgjodh president i Gjeorgjisë më 5 janar të këtij viti, duke siguruar 53 për qind të votave. 4 vjet më parë, ai fitoi 96 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale, pas një lëvizjeje të njohur si “Revolucioni rozë”, që shkaktoi dorëheqjen e kundërshtarit të tij, Eduard Shevarnaxe.

Shumë analistë, mes tyre Ronald Suny i Universitetit të Çikagos, thotë se rënia e popullaritetit të zotit Sakashvili flet për një zhgënjim nga arritjet e “Revolucionit rozë”. “Revolucioni rozë” ishte një moment euforie dhe shprese të jashtëzakonshme, si dhe e shpresave thuajse romantike për zgjidhjen e problemeve në të ardhmen e afërt. ...Dhe pritej të vinte një ndryshim prej tij. Ishte e pamundur të realizoheshin synimet e këtij revolucioni: fundi i korrupsionit, vendosja e sundimit të ligjit, zgjidhja e problemeve në rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore, përmirësimi i kushteve ekonomike dhe gjithshka tjetër. Kjo nuk do të realizohej në afat të shkurtër. Prandaj, pati një masë zhgënjimi.”

Olga Oliker, e korporatës RAND, thotë se pakënaqësia me zotin Sakashvili lidhet drejtpërdrejt me atë që ai e cilëson si stil “autoritar” të qeverisjes. “Ndërsa zoti Sakashvili e filloi karrierën me premtimin për demokraci dhe liri nëpër një rrugë të re, pati kufizime ndaj lirisë së shtypit dhe në aspekte të tjera; veçanërisht kjo u pa në Parlament, që po dominohet përherë e më tepër nga partia e Presidentit.”

Pakënaqësia e publikut me zotin Sakashvili u shpreh mnë demonstratat me pjesëmarrjen e mijëra vetëve në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi. Protestuesit kërkonin dorëheqjen e Presidentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve paralamentare të parakohëshme. Policia përdori gazin lotsjellës, pombat e ujit, shkopinjtë dhe plumbat e gomës për të shpërndarë turmat. Shumë analistë thonë se ky ishte momenti më kritik i presidencës së zotit Sakashvili.

Demonstaatat e detyruan zotin Sakashvili të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të parakohëshme. Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet ishin të drejta dhe të lira, megjithëse pati edhe parregullsi. Por partitë e opozitës vazhdojnë ta venë në pikëpyetje rezultatin e votimeve.

Ndërsa zoti Sakashvili fillon mandatin e tij të dytë, shumica e analistëve thonë se ai do të ndeshet me shumë nga të njëjtat probleme, të cilat atij iu desh t’i trajtonte gjatë 4 viteteve të para të tij në post, si lufta kundër korrupsionit.

Disa ekspertë thonë se arritja e qeverisë së zotit Sakashvili ka qenë rigjallërimi i ekonomisë së vendit. Megjithatë, shtojnë ata, qeveria gjeorgjiane duhet të gjejë mënyra për shpërndarjen e pasurive më me drejtësi mes qytetit dhe fshatit.

Në fushën e politikës së jashtme, zoti Sakashvili pritet t’i vazhdojë përpjekjet për ta distancuar Gjeorgjinë nga Rusia, duke e afruar atë me Evropën. Synimi i tij parësor është anëtarësimi i vendit në NATO dhe negociatat për arritjen e këtij objektivi tashmë kanë filluar.

Por përpjekjet e Gjeorgjisë drejt Perëndimit janë çështja më e debatueshme mes zotit Sakashvili dhe presidentit rus Vladimir Putin. Profesori i Universitetit Columbia Robert Legvold thotë se marrëdhëniet mes tyre nuk janë të mira. “Marrëdhëniet mes tyre kanë qenë tepër të ftohta, madje janë karakterizuar nga ashpërsimi dhe ky ka ardhur duke u shtuar. Unë e kam karakterizuar marrëdhënien mes dy udhëheqësve si më armiqësoren në “hapësirën” e periudhës pas sovjetike. Ndjenjat e të dy udhëheqësve janë tepër emocionale dhe të bazuara tek dyshimi reciprok. Dhe kjo marrëdhënie shtrihet edhe më gjerë, tek e gjithë elita gjeorgjiane edhe ajo ruse”.

E të njëjtit mendim është edhe Olga Oliker e Korporatës RAND.

Megjithatë, analistët thonë se marrëdhëniet e tensionuara mes Tbilisit dhe Moskës mund të përmirësohen gjatë administratës së dytë të zotit Sakashvili.

Në fjalimin e tij të inaugurimit, zoti Sakashvili tha se Gjeorgjia po i shtrin Rusisë dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili mori pjesë në ceremoni, tha se prania e tij rithekson synimin e Rusisë për normalizimin e marrëdhënieve me Gjeorgjinë.

Por shumë ekspertë, po ashtu theksojnë se në mënyrë që të lehtësohen tensionet, duhet që të dyja palët të bëjnë kompromise të konsiderueshme. //ii

XS
SM
MD
LG