Lidhje

Farbman: “Kosova do t’ia dalë edhe nëse Serbia vendos embargon


Shefi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, Michael Farbman thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se embargoja e paralajmëruar nga Beogradi në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të krijojë telashe afatshkurtra, por jo të patejkalueshme. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Farbman, tërheq vërejtjen se Kosova ndodhet para shumë sfidave në përpjekjet e saj për rimëkëmbje ekonomike, posaçërisht në periudhën pas zgjidhjes së statusit të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Farbman, organizata juaj është përfshirë në shumë projekte në Kosovë, posaçërisht në ato ekonomike. Cilat sipas jush janë sfidat kryesore në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike të vendit?

Michael Farbman: Kosova ka një numër sfidash ekonomike me te cilat duhet të përballet dhe po përballet në një masë. Ajo duhet të rrisë zhvillimin ekonomik në një shkallë të lartë dhe të qëndrueshme. Është e qartë se ardhmëria e saj është në Evropë dhe puna për qasje në institucionet ekonomike evropiane, do të jetë një nga këto sfida. Ne merremi me gjendjen e infrastrukturës, siç janë rrugët, hekurudhat, aeroporti, energjia, të cilat duhet të jenë çështje të zgjidhura nëse ekonomia duhet të ecë përpara. Sfidë janë edhe shpenzimet qeveritare, sepse të ardhurat janë të vogla, ndërsa nevojat janë ta mëdha. Nuk ka një drejtpeshim ndërmjet shpenzimeve kapitale në projektet e mëdha dhe shpenzimeve aktuale dhe kjo do të jetë një sfidë për periudhën e pas statusit. Të gjitha këto janë pjesë e sfidave thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Zëri i Amerikës: Cilat, sipas jush, mund të jenë shtyllat e rimëkëmbjes ekonomike në të cilat mund të mbështetet Kosova?

Michael Farbman: Ne jemi shumë optimist se do të ketë një ndryshim në fushën e energjisë. Nuk do të ndodhë menjëherë, por shumë procedura janë duke u zhvilluar si për shembull hapja e minierës së re të qymyrit në Sibovc, konkurrenca për investime në termocentralin e ri Kosova C. Ka edhe zhvillime të tjera që duhet të ndodhin, të cilat kanë filluar dhe gjithsesi organizata ime po ndihmon ca gjëra në Korporatën Energjetike të Kosovës. Pres që një valë e mirë investimesh do të vijnë në Kosovë, qoftë nga konferenca e donatorëve që do të ndodhë pas zgjidhjes së statusit dhe besoj që nëse bëjmë gjërat e duhura në funksion të rritjes së cilësisë së sundimit të ligjit, miratimin e ligjeve ekonomike dhe zbatimin e tyre në pajtim me të drejtat bashkëkohore mbi pronën dhe me një politikë të mirë fiskale, edhe investimet e huaja të drejtpërdrejta do të vijnë në Kosovë. Të gjitha këto janë në horizont dhe çështja është se sa kohë do të duhet që të ndodhin por mendoj se synimet dhe mirëkuptimi i çështjes së ku duhet të shkojmë janë me vend tash për tash.

Zëri i Amerikës: Zoti Farbman, Kosova ndodhet në prag të zgjidhjes së statusit të saj politik. Beogradi ka paralajmëruar ndërkaq bllokadë ekonomike nëse Prishtina shpallë pavarësinë. Cili mund të jetë ndikimi i një bllokade të tillë?

Michael Farbman: Kjo varet nga natyra e embargos dhe sa efektive do të jetë ajo. Për shembull, ne, komuniteti ndërkombëtarë, qeveria e Kosovës jemi të brengosur për mundësinë e mbylljes së kufijve që nënkupton ndërprerjen e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve. Shpresojmë se marrëveshjet që janë bërë me vendet fqinje si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi do t'i zbusin këto masa. Është e mundur se do të kemi shkurtime nëse zbatohen ato masa dhe do të ketë një rritje çmimesh. Por do të ketë sigurisht ndërhyrje të cilat dhuruesit janë të përgatitur t'i bëjnë për t'i zbutur pasojat. Energjia elektrike është një çështje tjetër. Një sasi e energjisë që Kosova duhet të importojë për të plotësuar prodhimin e saj, duhet të kalojë nëpër rrjetin elektrik që arrin në Kosovë nëpërmjet Nishit dhe ka mundësi që serbët nëse duan mund të manipulojnë me këtë. Është edhe problemi i mundshëm me furnizimin me ujë përfshirë ujin për sistemin e ftohjes për termocentralet e Kosovës. Pra, po është e mundur që do të ketë ca kokëçarje afatshkurta, ndërsa në afat më të gjatë jam optimist se do t'ia dalim me to.

Zëri i Amerikës: Zoti Farbman, ju jeni përfshirë edhe në shumë projekt që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së komuniteteve pakicë në Kosovë. Sipas jush cila është pozita e këtyre komuniteteve?

Michael Farbman: Nuk e shoh veten si ekspert për vlerësimin e pozitës së tyre, por mund t’ju them diç se çfarë bëjmë ne. Ne përpiqemi të punojmë me të rinjtë qoftë të pakicave apo rininë shqiptare për t'u ndihmuar që të shohin përtej së kaluarës dhe të ecin përpara drejt ardhmërisë dhe bashkëpunimit. Kemi shumë projekte që nxisin integrimin, që njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja e Kosovës nuk është e qëndrueshme nëse mbështetet në konflikt. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me dërgimin e porosive, ndërsa të tjerat me ofrimin e shërbimeve, përkatësisht të mirave reale për të cilat komunitetet pakicë kanë nevojë, siç janë furnizimi me ujë, shkollat, për t'u krijuar ndjenjën se komuniteti ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe për të integruar popullatën. Ne kemi burime dhe projekte që merren me këtë nëpërmjet sportit, kulturës, rinisë shkollore. Sa e frytshme është kjo, mendoj se ky është një proces i gjatë që kërkon një kohë të gjatë për t'u shëruar, por ne u kushtojmë një pjesë të burimeve këtyre çështjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Farbman, çfarë është shkalla e demokracisë në Kosovë, duke pasur parasysh se ju jeni të përfshirë edhe në projekte që kanë të bëjnë me forcimin e demokracisë?

Michael Farbman: Mendoj se shumë themele të demokracisë për entitete shumë të reja siç është Kosova janë mjaft mirë të vendosura. A janë të gjitha gjërat në vend? Vështirë të thuhet. Ende kemi probleme me sundimin e ligjit që unë i shoh si pjesë të çështjes së demokracisë këtu, por drejtësia po përmirëson veten ngadalë dhe në përgjithësi institucionet e demokracisë janë disa më të mira se të tjerat sikurse edhe shumë gjëra këtu. Sidoqoftë, duhet të presim disa vjet për të parë nëse transparenca dhe proceset demokratike do të përmirësohen dhe nëse do të ketë, e unë shpresoj se do të ketë një demokraci aktive më të qëndrueshme. //rd//

XS
SM
MD
LG