Lidhje

Kosovë: Policia përgatit plan veprimi për të garantuar sigurinë


Policia e Kosovës ka përgatitur një plan veprimi për të garantuar sigurinë ndërkohë që Kosova ecën drejt pavarësisë. Plani, i quajtur Operacioni Status, synon ruajtjen e qetësisë në rastin e ndonjë shtimi të tensioneve, si dhe parandalimin e kërcënimeve nda sigurisë.

Mbrojtja e jetës së qytetarëve, e pronës dhe e trashëgimisë kulturore janë vetëm disa nga aspektet kryesore të planit.

Operacioni bashkon policët shqiptarë dhe serbë të Kosovës në përpjekjet për të goditur krimin.

Një prej çështjeve kryesore është gjendja në zonat me popullatë serbe dhe të përzier ku tensionet mund të rriten pasi pakica serbe është kundër pavarësisë së Kosovës.

"Ne do të kemi forca policore ruajtjeje në ato zona që konsiderohen si të nxehta,” thotë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Veton Elshani. "Këto pika të nxehta mendohet se janë më tepër në zonat me popullatë serbe dhe policia do të jetë më vigjilente atje sepse detyra jonë është të ruajmë rendin publik, të mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve të Kosovës kudo që janë,” tha ai.

Prania e policisë mund të shihet lehtë në Lipjan. Policët aty patrullojnë, inspektojnë makinat dhe njerëzit brenda tyre si dhe flasin me banorët vendas.

"Tani jemi në një periudhë të brishtë por shpresoj se serbët nuk do të vendosin të largohen kur të merret vendimi. Nëse serbët largohen, edhe unë do të iki, por tani do të punoj dhe do të jem pjesë e asaj për të cilën kemi nënshkruar." thote Tatjana Milicevic.

"Patrullat e përziera funksionojnë shumë mirë dhe kanë sukses. Ne flasim në të dyja gjuhët dhe njerëzit na besojnë më shumë, sidomos në zonat ku shqiptarët dhe serbët jetojnë së bashku”, thotë Valdet Morina.

Ndërkohë, pritet që KFOR-i, forca paqeruajtëse nën drejtimin e NATO-s, të përforcohet në javët e ardhëshme për t’u përballur me tensionin në rritje ndërkohë që Kosova shkon drejt pavarësisë.

NATO-ja ka njoftuar se 560 paqeruajtës italianë do të arrijnë në Kosovë në fillim të shkurtit. Sipas planeve, kontingjenti italian do të qendrojë 1 muaj duke filluar nga 4 shkurti. Trupat e tjera do të vendosen në pjesët qendrore dhe veriore të Kosovës. Në Kosovë ka 16 mijë forca të NATO-s si dhe një forcë policore prej 7 mijë vetësh. //ii

XS
SM
MD
LG