Lidhje

Në fjalimin për gjendjen e vendit, Presidenti Bush sheh nga e ardhmja


Presidenti Bush mban sot para Kongresit dhe popullit amerikan një fjalim ku paraqet përparësitë e tij për vitin e fundit që i mbetet në detyrë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti nuk do të përqendrohet shumë tek ngjarjet që kanë kaluar. Ata, thonë se në fakt ai do të flasë për të ardhmen në fjalimin e tij të fundit për gjendjen e vendit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino thotë se ai do të flasë për fusha në të cilat mendon se mund të bashkëpunojë me shumicën demokrate në Kongres, mes së cilat më kryesoret janë masat e nevojshme për stimulimin e ekonomisë amerikane dhe përpjekjet kundër kërcënimit terrorist.

Presidenti do t’i bëjë thirrje Kongresit që të veprojë me shpejtësi për miratimin e një pakete me stimuj ekonomikë, që do të bazohet tek marrëveshja që Shtëpia e Bardhë arriti kohët e fundit me Udhëheqës Demokratë dhe Republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai do t’u kërkojë gjithashtu ligjvënësve që të marrin masa urgjente për ta zgjatur afatin e një programi që i jep mundësi qeverisë të vëzhgojë komunikimet ndërmjet amerikanëve dhe njerëzve jashtë vendit që besohet se kanë lidhje terroriste, pa autorizimin e një gjykate të posaçme.

Presidenti Bush ka gjithashtu mundësi të flasë për shpresat e tij për një marrëveshje për Lindjen e Mesme që do të vendoste parametrat e një shteti palestinez. Po ashtu nuk ka dyshim që ai do të flasë për dëshirën e tij që demokracia të vërë rrënjë në një Irak të qëndrueshëm.

Shumë anëtarë të Kongresit i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të përshpejtojë tërheqjen e trupave nga Iraku këtë vit. Bëhet fjalë për një rikthim në nivelin e forcave që ishte para se 30 mijë trupa shtesë të dërgoheshin atje, para një viti.

Kryekomandanti i ushtrisë amerikane në Irak, Gjeneral David Petraeus thotë se presidenti mund të raportojë para Kongresit se ato plane po ecin përpara.

“Ne kemi filluar përgatitjet për të tërhequr katër skuadra të tjera luftimi dhe dy bataljone marinsash deri në fund të Korrikut”.

Komandanti Petraeus foli në një intervistë për televizionin CNN në prag të fjalimit për Gjendjen e Vendit. I pyetur nëse mund të jenë të mundura tërheqje të mëtejshme, ai nuk dha një përgjigje përfundimtare. Ai tha se pas tërheqjes së afro një të katërtës së forcës së saj luftuese, ushtria, sipas fjalëve të tij, do të presë disi të shohë efektin, para se të marrë vendime të tjera.

“Mendojmë se do të ishte diçka e matur që të prisnim pak para se të merrnin vendime dhe pastaj të bëjmë tërheqje të tjera nëse kushtet do ta lejonin”.

Çështje të tjera të politikës së jashtme që pritet të trajtohen në fjalimin e Presidentit janë lufta kundër urisë globale dhe ajo kundër Sidës, dy tema që pritet të zotërojnë programin e Presidentit Bush në udhëtimin e tij në Afrikë muajin e ardhshëm.

Zëdhënësja Perino thotë se Presidenti është gati për fjalimin. Megjithatë, ajo thotë se ai nuk ka në plan të mbajë një fjalim tjetër për gjendjen e vendit janarin e vitit të ardhshëm, para se të largohet nga detyra dhe shanset janë që raportin e vitit 2009 ta dorëzojë të shkruar. Pasardhësi i tij do të shkojë pastaj në Kongres pak para se të bëjë betimin për të paraqitur politikat dhe objektivat e administratës së ardhshme.//kk//

XS
SM
MD
LG