Lidhje

Të rinjtë luajtën rol të rëndësishëm në fitoren e Senatorit Obama


Mbas fitores së thellë të senatorit Barak Obama në zgjedhjet paraprake brenda partisë demokratike ditën e Shtunë në Karolinën e Jugut, analistët politikë po shqyrtojnë rezultatet dhe po përpiqen të parashikojnë se si do të ecë fushata e tij mbas kësaj fitoreje. Ekspertët thonë se votuesit e rinj mund të luajnë një rol të madh në përcaktimin e rezultateve në garat e ardhshme.

Senatori Obama dhe mbështetësit e tij janë duke shqyrtuar rezultatet e votimeve në Karolinën e Jugut dhe duke përpunuar strategjinë e tyre për votimet e tjera paraprake. Në disa këndvështrime Karolina e Jugut ishte e veçantë, sidomos në rolin që luajtën votuesit zezakë. Avantazhi i madh i Senatorit Obama në këto votime u arrit kryesisht falë votës së afrikano-amerikanëve, të cilët përbënin pothuajse gjysmën e atyre që morën pjesë në votime.

Por duke fituar dhe çerekun e votave të të bardhëve, zoti Obama tregoi se ai mund të tërheqë votues pa marrë parasysh përkatësinë racore, madje dhe në një shtet tipik jugor. Në fjalimin e tij të fitores, Obama e hodhi poshtë idenë se fushata e tij ishte për ndasitë apo rracizmin.

“Në këto zgjedhje janë përballë njëra-tjetrës e shkuara dhe e ardhmja”.

Fjalët e tij e bëjnë të qartë se Obama e sheh veten e tij si udhëheqës të së ardhmes dhe konkurrenten e tij, Senatoren Hillary Clinton dhe bashkëshortin e saj , ish-presidentin Bill Clinton, i sheh si përfaqësues të së shkuarës që kryesisht të rinjtë, do të donin ta linin pas krahëve.

Obama fitoi rreth 50% të votave mes të bardhëve në grupmoshën 18-29 vjeç në South Carolina. Ai gjithashtu pati një mbështetje të konsiderueshme mes votuesve të klasës së mesme me një arsim universitar. Zëdhënësja e Obamës për fushatën në Karolinën e Jugut, Amaya Smith, tha se të rinjtë që mbështesin Obamën, nuk pranojnë politikat sipas vijës racore apo gjinore dhe pozicionet e ngurta politike.

“Mendoj se ata janë më të shqetësuar që ta shohin këtë vend të bashkuar, ata nuk janë të përfshirë në luftrat e vjetra politike që janë parë në politikën e vjetër, dhe mendoj se ata nuk janë tipi që të marrin në shënjetër për të luftuar se s’bën dikë nga partia tjetër. Ata kanë prirje që të jenë të pavaruar”.

Një segment i elektoratit që Obama nuk arriti ta bënte shumë për vete, ishin latinët. Në Nevada, ku është përqëndruar dhe popullsia më e madhe e latinëve, shumica e votave u hodhën për Hillari Clinton.

Latinët janë një pjesë e vogël e popullatës së Jugut, por gjithsesi ata kanë një peshë të caktuar. Maru Gonzales, e cila vjen nga një familje Portorikane, është një mbështetëse e Obamës nga Atlanta e Georgia-s, e cila ka ardhur në Columbia për të ndihmuar fushatën e Seantorit Obama. Ajo thotë se mjaft latinë favorizojnë Hillary Clinton sepse ata e personifikojnë atë me arritjet e burrit të saj kur ishte president.

“Mjaft njerëz në komunitetin latin kujtojnë çka Klintoni bëri në vitet 1990, përsa i përket punësimit dhe rritjes ekonomike. Mendoj se kjo është një arsye që ata mbështesin Clintonët. Mendoj se mjaft prej tyre nuk dinë shumë për Barak Obamën, por unë shpresoj që kur ata të mësojnë rreth tij, ta kuptojnë se ai ëshët zgjedhja e drejtë”

Gonzales thotë se ajo dhe latinë të tjerë në moshë të re, po mbështesin senatorin Obama sepse ata e shohin atë si mundësinë më e mirë për të ardhmen dhe ata po përpiqen që të bindin dhe të tjertët që të bëjnë të njëjtën gjë.

Hillary Clinton dhe ish senatori John Edwards kanë mënyrat e tyre për të tërhequr të rinjtë, por zonja Klinton kryesisht, ka ndërtuar një fushatë që mbështetet më tepër tek sindikatat dhe baza tradicionale demokrate. Ajo ka treguar një forcë të madhe në tërheqjen e votueseve femra. Në 5 shkurt, votuesit në 22 shtete dhe Samoan amerikane do të kenë shansin që të vendosin se cili prej kandidtëve ka ndikuar më tepër në votën e tyre.//kk//

XS
SM
MD
LG