Lidhje

Prishtina bën përgatitje për shpalljen e pavarësisë

  • Edona Demaj
  • Prishtinë

Autoritetet në Prishtinë thonë se po bëjnë të gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve, Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, dhe Kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi, janë takuar sot me dyer të mbyllura në funksion të këtyre përgatitjeve përfshirë edhe siç është thënë hartimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës.

Vetë zyrtarët kanë pohuar se kjo deklaratë do të jetë zë i përbashkët i pozitës dhe opozitës, ndërsa do të këshillohen edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, tha se udhëheqësit më të lartë të vendit kanë biseduar për hollësitë e shpalljes së vendimit përfshirë madje edhe kremtimet që do të organizohen me këtë rast.

“Ne kemi diskutuar për përfundimin sa më të shpejtë të të gjitha procedurave dhe përgatitjeve përfundimtare që kanë mbetur nga institucionet e Kosovës në bashkërendim edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, në mënyrë që të kemi një shpallje institucionale çfarë e meritojnë edhe qytetarët e Kosovës, dhe gjithashtu kemi diskutuar edhe për perspektivën e agjendës festive.......”, tha kryeministri Thaçi.

Institucionet e Kosovës tashmë janë shprehur të gatshme për zbatimin e propozimit të Presidenti Martti Ahtisaari, i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Kryeministri Thaçi, tha se institucionet e vendit gjithashtu e mirëpresin edhe ardhjen e misionit të ri të Bashkimit Evropian i cili do të zëvendësojë Misionin aktual të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Thaçi u zotua sërish për respektimin e plotë të të drejtave të pakicave kombëtare dhe integrimin e plotë të tyre. Afrimi i fundit i procesit për zgjidhjen e statusit ka shtuar shqetësimet për qasjen e pjesëtarëve të komunitetit serb ndaj vendimit të paralajmëruar për shpalljen e pavarësisë.

Të dy ministrat e kabinetit Thaçi, nga radhët e komunitetit serb, ende nuk kanë qëndrim të qartë nëse pas shpalljes së pavarësisë do të vazhdojnë edhe më të mbajnë postet ministrore ose jo. Ministri i Punës dhe mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç, dhe ministri për kthim dhe komunitete, Boban Stankoviç, pas një takimi me shefin e misionit të Kombeve të bashkuara Joakim Ryker, thanë se vendimi i tyre, pavarësisht se çfarë do të jetë, do të jetë në të mirë të komunitetit serb në Kosovë.

"Varet nëse vjen deri te shpallja e pavarësisë do të mendojmë për këtë çështje, sepse nuk më përket mua të vendos. Kjo është një çështje që i takon një spektri më të gjerë politikë. Sigurisht se do të ketë takime të nivelit më të lartë ku do të vendoset se si do të veprojmë më tutje", - tha ministri Rashiç .

"Një gjë është e sigurt- do të sjellim vendimin më të mirë për komunitetin serb në atë moment kur do të merret vendimi për shpalljen e pavarësisë sipas planit të zotit Ahtisaari", - tha ministri Stankoviç,.

Autoritete më të larta në Prishtinë, ditëve të fundit shpalljen e pavarësisë e kanë quajtur çështje ditësh. Ndërkohë, ata tashmë kanë filluar edhe me përgatitjet për kushtetutën e re të vendit si dhe për simbolet shtetërore. Kryeministri Thaçi paralajmëroi se sot ka filluar debati publik me qytetarët për kushtetutën e re të Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG