Lidhje

Statusi i Kosovës dhe tërësia e saj teritoriale


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe tash është koha e përmbushjes së procedurave të shpalljes së saj. Ai i bëri këto komente pas takimit me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker dhe komandantin e forcave paqeruajtëse, gjeneralin francez Xavier Bout de Marnhac, me të cilët ka debatuar, siç është thënë harmonizimin e veprimeve ne këtë periudhë të përmbylljes së statusit politikë të Kosovës. Për kryeministrin Thaçi vendimi për pavarësinë e vendit do të ndodhë shumë shpejt.

"Po pavarësia, ju e dini, ajo punë është punë e kryer, tash vetëm aspektet procedurale janë duke i kryer institucionet e Kosovës, procedura që duhet të respektohen në mënyrë që të kemi sukses të plotë".

Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë çdo mundësi për pavarësimin e Kosovës dhe kjo ka shtuar shqetësimet për zhvillimet në periudhën kur pritet vendimi për të ardhmen e vendit. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker tha se të tre zyrtarët e lartë janë angazhuar që javët dhe muajt në vazhdim të jenë periudhë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë.

"Kemi besim të plotë tek qytetarët e Kosovës të cilët do të veprojnë me përgjegjësi në javët dhe muajt e ardhshëm kur qartazi ngjarje të rëndësishme do të ndodhin", tha zoti Ruecker, i mbështetur edhe nga komandanti i forcave paqeruajtëse, Xavier Bout de Marnhac, i cili tha se trupat e tij do të sigurojnë një mjedis të qetë për të gjithë.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se Kosova është e përgatitur për të gjitha sfidat që e presin në ditët në vazhdim.

"Tanimë Kosova ka planin e vet preventiv bashkë me autoritetet e UNMIK-ut e të NATO-s. Gjithë ky përkushtim është në drejtim të asaj që të respektohet, të garantohet integriteti territorial i Kosovës, që të jetë i pacenueshëm".

Zoti Thaçi përsëriti sot qëndrimin se vendimi për pavarësinë do të merret në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Një vendim më i qartë rreth periudhës kur do të ndodhë një gjë e tillë mund të pritet pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi që mbahen të dielën e të cilat vlerësohen me rëndësi vendimtare për orientimin politikë të Beogradit.//iç//

XS
SM
MD
LG