Lidhje

Presidenti Bush mban fjalimin tradicional për gjendjen e vendit


Presidenti Bush mbajti mbrëmë fjalimin e tij të fundit drejtuar Kongresit dhe popullit amerikan për gjendjen e vendit. Ai u kërkoi amerikanëve të mbështesin politikat e tij për Irakun dhe u bëri thirrje ligjvënësve të veprojnë me shpejtësi për të gjallëruar ekonominë e vendit.

Për herë të shtatë dhe të fundit, George W. Bush eci drejt podiumit të Dhomës së Përfaqësuesve për të mbajtur fjalimin e përvitshëm mbi Gjendjen e Vendit.

Të rreshtuar në të dy anët e shkallëve të sallës së madhe, anëtarët e Kongresit i uruan atij mirëseardhjen ndërkohë që kamerat televizive shpërndanin imazhet në mbarë globin. Mbrëmë, vemendja që po u kushtohet zgjedhjeve presidenciale u la përkohësisht mënjamë dhe të gjithë sytë ishin përqendruar te Presidenti Bush.

Ai nuk reflektoi për të kaluarën. Por ai foli me hollësi për çështjet që do të ndikojnë për t’i dhënë formë asaj që ai do të lerë pas si president – duke filluar me luftën në Irak dhe me vendimin e tij për të dërguar atje 30 mijë trupa amerikane shtesë.

"Disa njerëz mund ta mohojnë se shtimi i trupave po jep rezultat por mes terroristëve nuk ekzistojnë dyshime. Al-Qaida në Irak po shpërbëhet dhe ky armik do të mposhtet."

Rreth gjysma e fjalimit i kushtohej politikës së jashtëme, me një theks të veçantë te Lindja e Mesme. Presidenti Bush foli mbi shpresat e tij për një marrëveshje paqeje izraelito-palestineze. Ai i bëri këtë thirrje qeverisë së Iranit.

"Tregojini hapur synimet tuaja bërthamore dhe veprimet tuaja në të kaluarën, ndalni shtypjen brenda vendit si dhe mbështetjen për terrorizmin jashtë vendit. Por mbi të gjitha dijeni se Amerika do të përballet me ata që kërcënojnë trupat tona, ne do të qendrojmë në krah të aleatëve tanë dhe do të mbrojmë interesat tona jetike në Gjirin Persik."

Presidenti Bush foli gjithashtu për vendosmërinë e tij për të mbrojtur ekonominë amerikane. Ai e pranoi se shumë amerikanë janë të shqetësuar se ngadalësimi i rritjes ekonomike mund të çojë në një recesion të madh dhe ai u përpoq të zbusë këto shqetësime.

"Në vështrimin afatgjatë, amerikanët mund të kenë besim për rritjen e tyre ekonomike. Por në vështrimin afatshkurtër, ne të gjithë e shikojmë se rritja po ngadalësohet."

Presidenti i bëri thirrje Kongresit të miratojë paketën e nxitjes ekonomike që administrata ka hartuar në bashkëpunim me udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai u bëri thirrje ligjvënësve të ripërtërijnë një program i cili i jep mundësi qeverisë të përgjojë fshehurazi komunikimet mes amerikanëve dhe personave të dyshuar si terroristë jashtë vendit pa kërkuar lejen e gjykatës.

Për të gjitha këto dhe çështje të tjera, Presidenti Bush u shpreh se secili duhet të lerë mënjanë politikën, diçka e vështirë kjo ndërkohë që vendi ndodhet në valën e një fushate të ashpër presidenciale.

"Në këtë vit zgjedhjesh, tha Presidenti, le t’u tregojmë amerikanëve se ne i njohim përgjegjësitë tona dhe jemi të vendosur për t’u përballur me to. Dhe le t’u tregojmë atyre se republikanët dhe demokratët konkurrojnë për vota por njëkohësisht bashkëpunojnë edhe për rezultate."

Dy nga kandidatët demokratë që janë në garë për të fituar emërimin e partisë së tyre, senatorët Hillary Clinton dhe Barack Obama – ishin të pranishëm për të dëgjuar fjalimin e presidentit Bush.

Përgjigja zyrtare e demokratëve ndaj fjalimit të presidentit Bush u dha nga guvernatorja e shtetit Kansas, Kathleen Sebelius.

"Fjalimi i sotëm, fillon vitin e fundit të kësaj presidence, me udhëheqës të rinj në horizont dhe pasiguri në gjithë vendin. Kushtet me të cilat përballemi, brenda dhe jashtë vendit, janë rezultat i zgjedhjeve të bëra nga kjo administratë dhe sfidave të parealizuara,” tha zonja Sebelius.

Ajo tha se sfidat mund të përballohen nëse amerikanët e të gjitha bindjeve politike bashkohen. Guvernatorja Sebelius tha se amerikanët nuk kanë frikë të përballen me alternativa të vështira por nuk kanë më durim për politika përçarëse. //ii

XS
SM
MD
LG