Lidhje

Kosova në prag të pavarësisë – ende mbetet shqetësimi për Mitrovicën


Gjashtë javët e ardhëshme duket se do të jenë një periudhë kritike për Kosovën ndërkohë që ajo përgatitet të shpallë pavarësinë nga Serbia. Korrespondenti ynë Barry Wood ndodhet në Prishtinë dhe na njeh me hapat diplomatike si dhe me zhvillimet e tjera në arenën ndërkombëtare që po i japin formë së ardhmes së Kosovës.

Është periudhë tranzicioni në Kosovë, kur administrata e OKB-së, UNMIK, përgatitet t’ja dorëzojë përfundimisht pushtetin qeverisë së Kosovës dhe një autoriteti mbikqyrës të Bashkimit Europian.

Shqetësimi kryesor për dy milion shqiptarët e Kosovës, që përbëjnë rreth 95% të popullatës, është koha se kur do të bëhet deklarata e pavarësisë, e cila pritet të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara si dhe nga pothuajse të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pritet që kjo të ndodhë përpara fundit të marsit.

Përpjekjet për të përcaktuar statsin e Kosovës janë zvarritur që nga viti 1999, kur trupat e NATO-s ndërhynë për të ndalur teprimet e forcave serbe në frenimin e kryengritjes shqiptare. Fushata 78-ditëshe e bombardimeve të NATO-s i dëboi trupat serbe nga Kosova dhe ato u zëvendësuan me një administratë të OKB-së si dhe me një forcë sigurie të drejtuar nga NATO-ja e cila sot numëron rreth 15 mijë vetë.

Megjithëse Sllobodan Milloseviçi u përmbys në vitin 2000 me një revoltë popullore në Serbi, pasuesit e tij të zgjedhur me mjete demokratike vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, që është edhe kërkesa kryesore e shqiptarëve.

Vitet e fundit, Rusia e ka radhitur veten me Serbinë dhe ka bllokuar në Këshillin e Sigurimit planin Ahtisari për pavarësinë e kushtëzuar. Të bindur se siguria në Ballkan kërkon pavarësinë e Kosovës, amerikanët dhe europianët kanë rënë dakord ta anashkalojnë OKB-në dhe të mbështesin shpalljen e pavarësisë nga Kosova.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë deklaratën e pavarësisë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë. Kandidati pro-perëndimor, Boris Tadiç, thotë se nuk do të dërgojë ushtrinë serbe për t’ju kundërvënë pavarësisë por qendrimi i rivalit të tij ultranacionalist është ende i paqartë. Kontrolli i ushtrisë është forca kryesore e presidentit të Serbisë.

Bajram Rexhepi, zyrtar i lartë i Partisë Demokrattike të Kosovës, është njëkohësisht kryebashkiak i qytetit të ndarë të Mitrovicës, e cila ka qenë pikë e nxehtë e dhunës etnike. Pjesa e saj veriore banohet nga mbi 20 mijë serbë dhe ka shqetësime se veriu nuk do ta pranojë pavarësinë. Dr. Rexhepi është veçanërisht i shqetësuar rreth qendrimit që do të mbajnë pas shpalljes së pavarësisë disa qindra policët e Mitrovicës veriore të cilët janë pjesë e Shërbimit Mbrojtës të Kosovës. "Jam i shqetësuar se ata do t’i hedhin uniformat e tyre dhe do të veshin rroba civile. Ndryshimi i uniformave dhe veshja e uniformave të policisë serbe do të ishte i pamundur me sa di unë për shkak të angazhimeve të KFOR-it dhe të policisë së UNIMK-ut, të cilët nuk do të lejonin uniforma të tjera," tha zoti Rexhepi.

Zona në veri të lumit Ibër, që ndan Mitrovicën është jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës. Ky rajon verior që ndodhet në kufi me Serbinë, patrullohet nga trupa paqeruajtëse të komanduara nga një francez. Dr. Rexhepi u ka bërë thirrje serbëve në Mitrovicën veriore që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me shqiptarët për të përmirësuar standardin e jetesës në të dyja anët e qytetit të ndarë. //ii

XS
SM
MD
LG