Lidhje

Florida: Senatori i Arizonës John McCain mposht rivalin Mitt Romney


Senatori i Arizonës John McCain mposhti ish guvernatorin e shtetit Massachusetts Mitt Romney duke fituar zgjedhjet paraprake të Floridës në përgatitje për garën e rëndësishme të javës së ardhëshme që do të zhvillohet në shumë shtet njëherësh.

Zoti McCain mori 36 përqind të votave kundrejt 31 përqind të fituara nga zoti Romney.

Në fjalimin e tij të fitores, zoti McCain e falenderoi rivalin e tij dhe tha se më shumë punë mbetet për t’u bërë.

Para kësaj, zoti Romney uroi senatorin McCain me anë të një fjalimi që mbajti mbrëmë para simpatizantëve.

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i cili kishte varur shumë shpresa te një fitore në Florida, doli në vend të tretë por shumë larg dy të parëve. Ndërsa ish guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee u rendit menjëherë pas tij.

Zoti Giuliani dhe zoti Huckabee e uruan që të dy senatorin McCain në fjalimet që mbajtën mbrëmë. Sipas njoftimeve të medias, zoti Giuliani pritet të dalë nga gara dhe të shpallë se i jep mbështetjen e tij senatorit McCain.

Zoti Huckabee, i cili doli fitues në shtetin Iowa, tha se nuk dekurajohej nga rezultati në Florida dhe se do të vazhdojë garën.

Në kampin demokrat, senatorja e Nju Jorkut, Hillary Clinton fitoi pa probleme në partinë e saj ndaj senatorit të Ilinoit, Barack Obama. Ish senatori John Edwards zuri vendin e tretë por mjaft i distancuar nga dy rivalët. Megjithatë, këto rezultate nuk pritet të kenë ndonjë rëndësi të madhe në kuvendin për emërimin e kandidatit demokrat, sepse Partia Demokrate ua hoqi përfaqësuesve të Floridës të drejtën e votimit si ndëshkim për faktin që ata e zhvilluan më herët se sa ishte planifikuar garën e tyre për zgjedhjet paraprake.

Zonja Clinton, duke folur përpara simpatizantëve në Florida, premtoi se do të përpiqet që delegatët e këtij shteti të rifitojnë të drejtën për t’u përfaqësuar në kuvend. //ii

XS
SM
MD
LG