Lidhje

Integrimi i imigrantëve përmes artit


Shumë vende të zhvilluara, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, bëjnë ç’është e mundur për të asimiluar numrin e madh të imigrantëve. Në vendet evropiane me identitet të fuqishëm kombëtar dhe racor, shumë imigrantë ndjejnë se nuk do të pranohen kurrë nga shoqëria. Është padyshim një problem i vështirë por në Gjermani ka një program, që po përdor artin për t’i ndihmuar të rinjtë të integrohen në shoqëri.

Shumë të rinj në Berlin, vijnë në këtë program jashtëshkollor, të quajtur “Fusion”, shkrirje, për të kaluar disa orë të bukura.

Marta Galvis de Janza, e shoqatës “Fusion”, shpreson t’i ndihmojë ata të bëhen qytetarë të mirë të Gjermanisë."Arti përdoret si një mjet që të rinjtë të vetëshprehen. Dhe për të parë se si ndjehen ata në këtë vend, nëse asimilohen, a duan ata të integrohen, apo ndoshta ashtu siç shprehen përmes artit, nuk i përshtaten dot shoqërisë së re?" Ata janë bij imigrantësh, shumica nga Libani dhe nga Turqia, prindërit e të cilëve fillimisht erdhën në Gjermani për të kërkuar punë.

Disa imigrantë, si Berberi Mustafa Hleiihel, janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane. "Ne i përkasim kulturave të ndryshme. Unë përshembull, jam nga Turqia, ky është nga Libani dhe unë ndjehem mirë këtu në Gjermani. Por nuk ndjehen kështu të tjerë".

Sot, statistikat qeveritare tregojnë se ritmet e papunësisë dhe varfërisë në Gjermani janë më të lartat mes komuniteteve të imigrantëve. Një pjesë e gjermanëve zemërohen me imigrantët, ngaqë ata nuk mësojnë gjuhën, apo nuk përqafojnë kulturën gjermane. "Është sikur të kemi dy kultura. Ata nuk duhet të na detyrojnë ne të përdorim kulturën e tyre këtu në Gjermani", - thotë një banore.

Edhe kur lindin në Gjermani, fëmijëve të imigrantëve nuk ua garantojnë automatikisht shtetësinë. Ata mund ta marrin atë, duke studjuar gjuhën, historinë dhe kulturën gjermane. Por Nevim Cil, profesor i etnologjisë në Universitetin Humboldt të Berlinit, thotë se shumë imigrantë ndjejnë se nuk do të pranohen kurrë nga shoqëria gjermane. "Ajo që i streson më tepër imigrantët, është se edhe kur marrin shtetësinë, asgjë nuk ndryshon në jetën e tyre të përditshme. Nëse aplikon për një punë të përhershme, gjithmonë të shohin si turk, apo italian",- thotë profesori.

Ndërsa shoqata “Fusion” i jep një karakter krijues integrimit, përkrahësit e imigrantëve thonë se nevojiten më tepër mundësi arsimimi dhe punësimi, për t’i bërë fëmijët e tyre pjesëtarë produktivë të shoqërisë. Ata thonë se banorët e hershëm duhet të mësohen me faktin se fytyra e Gjermanisë po ndryshon. //rd//

XS
SM
MD
LG