Lidhje

Ekonomia amerikane dhe ndikimi i saj tek më të moshuarit


Presidenti Bush po i kërkon Kongresit që të miratojë me shpejtësi një paketë stimuluese prej 150 miliard dollarësh, për të nxitur zhvillimin ekonomik si dhe për të ndihmuar familjet me të ardhura të mesme dhe të ulta. Një prej grup-moshave që po e ndjek me kujdes situatën ekonomike janë të moshuarit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kris Simkins, bisedoi nga afër me disa pensionistë këtu në Washington për të parë se si e shohin ata situatën.

Pensionistët janë të shqetësuar rreth gjendjes ekonomike të vendit dhe ndikimit që do të ketë ajo tek ta. 77 vjeçarja Mary Ann Hutton e mban mend kohën e depresionit të madh gjatë viteve 1930. Ishte një dekadë me papunësi të madhe, varfëri të skajshme dhe rënie të madhe të tregut të aksioneve. Ish mësuesja në pension thotë se ajo do të arrijë ta përballojë situatë të tanishme ekonomike, por është e detyruar të bëjë ndryshime në jetën e saj.

“Një prej ndryshimeve që kam bërë është se tani jetoj në një apartament të vogël. Nuk paguaj për kabëll, por shoh vetëm stacionet televizive me antenë. Makinën e përdor fare pak. Po kursej ku po mundem”.

Një studim i kohëve të fundit nga grupi AARP, shoqata e pensionistëve, tregon se deri në 2030-tën, numri i të moshuarve do të dyfishohet në 71, 5 milion, ndërkohë që 1 në 5 persona do të jenë mbi 65 vjeç. Studimi tregon se një nga sfidat për pensionistët në një ekonomi të ngadalësuar është aftësia për të përballuar ngritjen e çmimeve për kujdesin shendetësor.

Pensionisti Frank Short nga Tampa e Floridës ka vënë re pakësimin e të ardhurave të tij të pensionit, si rezultat i rënies së bursës. Ai thotë se po shqyrton mundësinë e ndryshimit të kurvimeve të tij për pensionin, si rezultat i ngadalësimit ekonomik dhe rënies së tregut të shitblerjes së shtëpive.

“Kam menduar të tërheq ca para të investuara në bursë dhe t’i investoj ato në forma të tjera më të sigurta, por nuk e kam provuar ende këtë.”

80 vjeçarja Caroline Boston është pensioniste nga Washingtoni. Ajo jeton me të ardhura bazë prej 1400 dollarë në muaj dhe shpenzimet e saj janë 1100 dollarë. Ajo e përballon këtë apartament të vogël dhe paguan shpenzimet mjekësore, por thotë se i mbeten fare pak para në xhep.

“Pata kursyer ca të holla para se të dilja në pension për t’i patur në moshën e thyer. Por inflacioni i ka shterruar ato. Shkoja dy herë në muaj në kinema. Tani zor se shkoj. Më pëlqenin restorantet por tani i kam hequr nga lista.”

Caroline Boston sikurse shumë amerikanë të tjerë pensionistë, është e shqetësuar kryesisht se si një ngadalësim i zgjatur i ekonomisë do të ndikonte tek fëmijët e saj dhe brezat që vijnë. Ajo dhe të tjerët shpresojnë që një paketë ekonomike stimuluese do të zbuste situatën financiare për të gjithë, ndërkohë që do të rindizte motorin e ekonomisë amerikane drejt begatisë. (ze)

XS
SM
MD
LG