Lidhje

Berisha: Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në rast bllokade nga Serbia


Shqipëria ka në plan që të ndihmojë Kosovën për t’i bërë ballë çdo bllokade që mund të vendosë Serbia, si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë. Këtë qëndrim e shprehu kryeministri Sali Berisha dje në Bruksel, ku ndodhej për bisedime me zyrtarë të BE-së dhe NATO-s.

Kryeministri Berisha tha dje në një intervistë për televizionin APTN se Shqipëria ka ndër mend ta ndihmojë Kosovën, në rast se Serbia vendos ndonjë bllokadë, ose embargo.

“Po, ne do t’i ndihmonim duke u dhënë mundësi të përdornin portet, apo rrugën që lidh Durrësin me Kosovën. Nuk është në një gjendje shumë të mirë, por funksionon. Do t’u krijonim lehtësira në aeroportet tona. Ne i kemi planet për të reaguar në rast të një bllokade nga ana e Serbisë, në mënyrë që të zbuteshin pasojat që mund të kishte mbi Kosovën”, tha ai.

Zoti Berisha tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës ishte thelbësore për stabilitetin në rajon, por u bëri thirrje shqiptarëve të Kosovës që të mos tregoheshin armiqësorë ndaj Serbisë, apo pakicës serbe në Kosovë.

“Shqiptarët duhet të jenë shumë të matur, të vetëpërmbajtur, jo me qëndrime triumfaliste, sepse është shumë e rëndësishme që Kosova të mbetet një shoqëri shumëetnike”.

Berisha i hodhi poshtë shqetësimet e disa faktorëve në rajon se shkëputja e Kosovës do t’i hapte rrugën Shqipërisë së Madhe. Ai theksoi se është plotësisht i bindur se shqiptarët e Kosovës janë të angazhuar shumë seriozisht për projektin e pavarësisë. Zoti Berisha tha se përparësia e Kosovës ishte hyrja në Bashkimin Evropian, jo bashkimi me Shqipërinë.

Ai shtoi se Shqipëria do të punonte për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike me Kosovën, por edhe me fqinjë të tjerë si Malin e Zi dhe Maqedoninë.

XS
SM
MD
LG