Lidhje

HRW kritikon demokracitë për mungesë llogarie ndaj diktatorëve


Organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch" thotë se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera demokratike nuk po u kërkojnë llogari sundimtarëve diktatorialë për shkeljen e të drejtave civile dhe politike të qytetarëve të tyre.

Në raportin e saj vjetor, organizata thotë se demokracitë perëndimore rrezikojnë të minojnë të drejtat e njeriut në botë, duke mos u kërkuar qeverive autoritare të respektojnë të drejtat e qytetarëve të tyre.

Ndër vendet e veçuara për shkelje të të drejtave civile dhe politike në vitin 2007, ishin Kenia, Pakistani, Rusia dhe Kolumbia. Drejtori Ekzekutiv i organizatës "Human Rights Watch" tha se qeveritë perëndimore këmbëngulin në kërkesat për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, por nuk u kushtojnë vëmendje çështjeve themeltare si media e lirë dhe e drejta për organizim e qytetarëve.

Raporti thekson se Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të shkelin të drejtat e njeriut, duke mbajtur në funksionim qendra sekrete paraburgimi jashtë territorit të tyre. "Human Rights Watch" thekson, se nuk është arritur përparim në trajtimin e luftëtarëve kundërshtarë, përfshirë ata që mbahen në burgun e marinës amerikane në Guantanamo të Kubës.//lk

XS
SM
MD
LG