Lidhje

Ryker: Ndërkombëtarët të përkushtuar për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joakim Ryker, i tha sot Zërit të Amerikës se komuniteti ndërkombëtarë është i përkushtuar për ruajtjen e tërësisë tokësore të Kosovës. Ai i bëri këto komente në një intervistë dhënë korrespondenti tonë në Prishtinë Besim Abazi, duke iu përgjigjur shqetësimeve se shpallja e pavarësisë së Kosovës mund të nxisë kundërveprime të pjesëtarëve të komunitetit serb, posaçërisht në veriun e saj, të cilët nuk pajtohen me shkëputjen e Kosovës nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Ryker, ku ndodhet aktualisht procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe si mendoni se do të zhvillohet ky proces?

Joakim Ryker: Ne e kuptojmë se ka një skenar emergjent, por unë nuk mund të parashikoj se si do të reagojnë Kombet e Bashkuara dhe UNMIK-u ndaj këtij skenari. Por ai është në rrugë e sipër ndërsa ne po bëjmë punën tonë nën Rezolutën 1244.

Zëri i Amerikës: Cilat janë shqetësimet tuaja kryesore në këtë periudhë?

Joakim Ryker: Mendoj se është shumë me rëndësi që qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit të veprojnë me shumë përgjegjësi, që ne të jemi në gjendje të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë në Kosovë gjatë tërë kohës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, Beogradi ka paralajmëruar se do të vendosë embargo ndaj Kosovës, nëse Prishtina shpallë pavarësinë. Si do t'u përgjigjeni ju masave të tilla?

Joakim Ryker: Nuk dua të spekuloj për çështjet dhe të flas për skenarë të mundshëm, por nga ana tjetër ne duhet të jemi planifikues të vëmendshëm. Po e bëjmë këtë gjë, po përgatitemi së bashku me institucionet e Kosovës, me KFOR-in për veprimet e mundshme, por këto nuk janë tema publike. Shpresoj se do të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë dhe unë jam i bindur se mund ta bëjmë.

Zëri i Amerikës: Një nga shqetësimet kryesore është gjendja në veriun e Kosovës, meqë përfaqësuesit e atjeshëm politikë kanë paralajmëruar veprime të njëanshme, nëse Prishtina shpallë pavarësinë. Si mendoni se mund të zhvillohen gjërat në atë pjesë të Kosovës?

Joakim Ryker: Në kuadër të mandatit tonë, bazuar në Rezolutën 1244, dhe tek parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit për procesin e statusit, jemi të përkushtuar ndaj tërësisë tokësore të Kosovës. Kur them ne, e kam fjalën për KFOR-in, UNMIK-un dhe institucionet e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A do të mbetet Mitrovica edhe më tej një çështje e pazgjidhur, mendoj edhe pas statusit?

Joakim Ryker: Rajoni i Mitrovicës veriore është pjesë e Kosovës dhe ne synojmë të zbatojmë mandatin tonë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti Ryker, a është Mitrovica dështim i UNMIK-ut dhe institucioneve vendase të Kosovës?

Joakim Ryker: Veriu është pjesë e Kosovës dhe mendoj, po, ka disa struktura paralele. Por, edhe me planin e zotit Ahtisaari është paraparë një shkallë e lartë e vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Mendoj se nuk mund të themi se kjo është çështje për t'u zgjidhur nga komuniteti ndërkombëtar. Mendoj se të gjithë kemi përgjegjësinë e përbashkët që të sigurohemi se të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin shumicë në veri, të ndjehen pjesë jo vetëm e të tashmes, por edhe e të ardhmes.

Zëri i Amerikës: Zoti Ryker, si do t'i plotësoni kërkesat e banorëve serbë gjatë kësaj periudhe?

Joakim Ryker: Mendoj se është përgjegjësi e të gjithëve, qytetarëve të Kosovës, udhëheqësve të saj dhe komunitetit ndërkombëtarë për ta bërë të qartë se të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë natyrisht edhe serbët e Kosovës, nuk janë vetëm të sigurt por edhe pjesë e mirëseardhur e kësaj shoqërie dhe janë pjesë e së ardhmes jo vetëm demokratike por edhe e Kosovës shumetnike. Në çdo mënyrë të mundshme duhet ta bëjmë këtë të qartë dhe mendoj se shumë serbë të Kosovës e kuptojnë dhe kemi përgjigje pozitive në porositë tona.

Zëri i Amerikës: Zoti Ryker, cili mund të jetë roli, ndikimi i Beogradit tek serbët e Kosovës në këtë periudhë?

Joakim Ryker: Kemi parë në të kaluarën se kur ishte fjala për integrimin e serbëve të Kosovës, për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Kosovës, ka patur trysni dhe nganjëherë edhe frikësime e kërcënime nga jashtë Kosovës dhe nga disa veprimtarë këtu. Shpresojmë se kjo do të marrë fund, sepse nuk është në interesin e komunitetit serb. Është shumë me rëndësi që komuniteti serb të jetë pjesë e së ardhmes së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A mund të ushtrojë ndonjë ndikim edhe procesi i zgjedhjeve në Serbi ?

Joakim Ryker: Qartazi dhe është e kuptueshme që njerëzit duan të mbështesin forcat demokratike pro evropiane në Beograd, por nuk shoh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë më atë çfarë po ndodh në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A është leja për zotin Tadiç që të qëndrojë në Kosovë, pjesë e këtyre përpjekjeve, këtyre dëshirave?

Joakim Ryker: Zoti Tadiç na informoi se dëshironte të vinte sot në Kosovë.Ne ramë dakort. Ai është shoqëruar dhe ishte për një orë këtu.

Zëri i Amerikës: Zoti Ryker, a përfundon misioni juaj me shpalljen e pavarësisë nga Prishtina?

Joakim Ryker: Pas statusit, sigurisht që do të kemi një periudhë kalimtare. Dhe nëse plani i zotit Ahtisaari është zgjidhja, atëherë ju e dini se është paraparë një periudhë katërmuajshe. Diku pas statusit do të fillojë periudha 120 ditëshe dhe vetëm kur të përfundojë periudha kalimtare do të jetë e mundur që të kalohen përgjegjësitë nën kuadrin ligjor dhe kjo duhet të përcaktohet. //rd//

XS
SM
MD
LG